Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka kërkuar që SPAK të prangosë në zyrë ministrin e radhës apo kryebashkiakun që janë të përfshirë në aferën e Inceneratorëve, e jo të presë sa të japin dorëheqjen.
Komentet Basha i bëri në konferencën për gazetarët, ku tha se emri i ministrit të tretë që do të përfundojë pas hekurave për shkak të përfshirjes në aferën e inceneratorëve, do të dalë shumë shpejt.
Se kush është ai Basha tha se kjo varet se kë do vendosë të bëjë kurban Edi Rama.
“Komisioni Hetimor do të vazhdojë punën ndryshe nga sa shpresonte Edi Rama. Komisioni do të vazhdojë punën. Puna e komisionit do të nxjerrë qartë emrat. Cilin do bëjë kurban Edi Rama nuk mund ta parashikoj. Ne do i shkojmë deri në fund. Dita që Rama të japë përgjegjësi para drejtësisë për këtë aferë do të vonojë por nuk do të mungojë”, tha Basha.
Ai i bëri thirrje SPAK që të mos presin që kryetari i bashkisë apo ministri i radhës të japë dorëheqjen por t’ia vënë prangat në zyrë.
“Thirrja që i drejtoj SPAK është mos prisni që të japë dorëheqjen ministri i radhës por vijani prangat në ministri. Mos prisni të japë dorëheqjen kryebashkiaku i radhës. Vijani prangat në zyrë. Edhe socialistëve u ka ardhur në majë të hundës. Është zbuluar pisllëku”, u shpreh ai./albeu.com/