Nënë Liza komenton takimin me Ramën: Është mashtrim, e di që nuk jep shtëpi (VIDEO)

Nënë Liza u takua të enjten me Kryeministrin Edi Rama së bashku me dy banorë të tjerë të lagjes “5 Maji” në Tiranë të cilëve po u shemben shtëpitë.

Sonte, nënë Liza ka ardhur në emisionin Zonë e Lirë në Tv Klan për të komentuar pikërisht takimin me Kryeministrin Edi Rama.

Nënë Liza thotë se nuk beson asnjë premtim që i bëhet.

“Unë e di që nuk jep shtëpi asgjë ai. Është mashtrim. Qysh se foli, me mua nuk flitet kështu. Ky shtet nuk më gënjen më.

Do i japim shtëpitë tha, pse bën luftë me shtetin. Ti do t’i marrësh shtëpitë tha me taksat e shqiptarëve.

Nuk ka marrëveshje me asnjeri. Unë i dua me shkrim e me vulë e me firmë e me të gjitha gjërat. As është caktuar vendi”, tha ndër të tjera nënë Liza.

Banorët e zonës “5 Maji” në kryeqytet po protestojnë prej disa ditësh për shembjen e banesave të tyre, por nga bashkia dhe qeveria thonë se të gjithë do të përfitojnë banesat e reja në pallatet që do të ndërtohen sipas metrave katrorë që i kanë.


Shtuar 11.02.2022 22:35