Kuvendi vendos: Gati marrëveshja me Greqinë për qendër të përbashkët policore dhe doganore

Kuvendi ka miratuar marrëveshjen e firmosur me Greqinë për hapjen e një qendre të përbashkët policore dhe doganore për të luftuar krimin ndërkufitar. Qendra është e vendosur në anën greke të kufirit dhe do të ketë specialistë nga të dy vendet.

Qendra do të përfshijë edhe luftën kundër trafikut të narkotikëve. Marrëveshja e për hapjen e qendrës u nënshkrua nga Zv-Ministri i Brendshëm shqiptar Julian Hodaj dhe homologu grek Lefteris Ikonomu dhe parashikon vendosjen e një trupe të përbashkët policore dhe doganore në mjediset e qendrës në anë greke të kufirit.

Marrëveshja e përbashkët parashikon bashkëpunimin policor dhe doganor dhe shkëmbim të informacioneve që lidhen me forma të ndryshme të krimit në kufijtë e të dy vendeve. Sipas marrëveshjes në fushat e bashkëpunimit dhe autoriteti veprues të qendrës përfshihet bashkëpunimi për të goditur transportin dhe trafikimin e lëndëve narkotike apo armëve, bashkëpunimi për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe rekrutimit të luftëtarëve të huaj, luftimi migracionit të paligjshëm, zbulimi dhe goditja e autorëve të shkeljeve që lidhe me procedurat doganore dhe kufitare.

Sakaq, Gent Sejko zgjidhet nga Kuvendi për një tjetër mandat (mandati i dytë) si anëtar i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë zgjidhet nga Kuvendi me propozim të Presidentit të Republikës për 7 vjet, me të drejtë rizgjedhjeje, dhe votohet në Parlament. Gent Sejko u emërua Guvernator i Bankës së Shqipërisë në datë 5 shkurt 2015 nga Kuvendi i Shqipërisë, bazuar në dekretin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë./albeu.com/