Banknota false nga 2.000 denarë në Maqedoni, bëni kujdes

Banka Popullore e Maqedonisë së Veriut alarmoi se së fundit janë  vërejtur banknota të falsifikuara në vlerë prej 2.000 denarëve, për çka është njoftuar MPB-ja që të ndërmarrë masa.

Me qëllim të mbrojtjes së qytetarëve dhe personave juridik, Banka Popullore tregon mënyrën se si mund të kontrollohet lehtësisht nëse bëhet fjalë për falsifikim, përcjell INA.

Lloji i shfaqur i falsifikimit është prej letre të thjeshtë (tregtare), me dy shtresa, e cila kur preket ndryshon dukshëm në trashësi, fortësi dhe elasticitet në krahasim me letrën origjinale.

Përveç kësaj, kartëmonedhat origjinale përmbajnë elemente mbrojtëse shumë të sofistikuara, sipas të cilave qytetarët mund të dallojnë dhe njohin origjinalitetin e tyre.

Kartëmonedha e falsifikuar mund të identifikohet lehtësisht duke i kushtuar vëmendje elementit mbrojtës bazë, të printuar me ngjyra optike të ndryshueshme, që ndodhet në pjesën e sipërme të mesit të pjesës së përparme të kartëmonedhës.

Ky element në kartëmonedhën e falsifikuar nuk ndryshon fare ngjyrë duke lëvizur kartëmonedhën, ndërsa në kartëmonedhat origjinale, duke e lëvizur kartëmonedhën në një kënd të caktuar, mund të shihni se si ndryshon ngjyrën nga jeshile në blu dhe në të shfaqet një unazë e gjelbër e hapur.

Të gjitha informatat në lidhje me veçoritë mbrojtëse të kartëmonedhave me prerje prej 2000 denarë mund të gjenden në video prezantimin në faqen e internetit të Bankës Popullore.


Shtuar 3.02.2022 17:02