Osmani kujton masakrën e Mitrovicës: Dëshmi se spastrimi etnik ndaj shqiptarëve vazhdoi edhe pas luftës (FOTO LAJM)

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kujtuar 3 dhe 4 shkurtin e vitit 2000 ku në Mitrovicë u vranë 10 shqiptarë.

Osmani tha se ky kujtim do të rëndojë mbi ndërgjegjet tona derisa autorët e bandave kriminale të nxitura nga Serbia të dalin para drejtësisë.

“Mitrovica nuk do ta harrojë kurrë tmerrin e 3-4 shkurtit të vitit 2000, kur u vranë 10 qytetarë të saj, në mesin e të cilëve edhe pleq, gra e fëmijë. Kujtimi për ta do të rëndojë ende mbi ndërgjegjet tona, derisa autorët, pjesë të bandave kriminale të nxitura nga Serbia, të dalin para drejtësisë”, ka shkruar Osmani.

Presidentja shtoi se kjo ishte dëshmia më e qartë e spastrimit etnik të Kosovës nga Serbia, që vazhdoi edhe pas luftës.

“25 të plagosur nga ajo natë dhe 1664 familje të dëbuara me gati 12 mijë anëtarë nga ajo pjesë janë dëshmi e natës së trishtë, kur ata pësuan vetëm pse ishin shqiptarë por edhe dëshmi se spastrimi etnik ndaj shqiptarëve në veri të vendit vazhdoi edhe pas luftës. Ngjarje të tilla mos u përsëritshin kurrë, teksa kujtimi për të vrarët qoftë i përhershëm!”, ka përfunduar ajo./albeu.com/