Mendësia se “Omicron” është grip cilësohet si një tjetër arsye veç transmetueshmërisë së lartë të virusit që po kontribuon në shtimin me shpejtësi të numrit të të infektuarve në vend.
Pneumologu Ardian Jorgji mendon se kjo është teze e gabuar dhe shpjegon se përgjigja ndaj sëmundjes është individuale.
“Shumë e gabuar, një tezë e tillë ka kontribuar dhe në shtimin e rasteve, njerëzit kanë ulur vigjilencën dhe përkujdesjen për vete dhe të tjerët.
Dhe shenja të thjeshta si rrufë, kollë, temperaturë e lartë për disa ditë tek pacientë me probleme shoqëruese mund të jenë dhe fatale”, shprehet Jorgji.
Situata bëhet më e vështirë kur në qarkullim është dhe “Delta”, gripi dhe viroza të tjera të stinës.
“Nga ana klinike mbivendosje infeksionesh shoh plot”.
Të infektuarit ditor kanë arritur dhe në 2800 persona, por mjeku pneumolog mendon se janë më shumë se kaq. Jep disa arsye dhe bën thirrje për kujdes të shtuar.
“Asimptomatikët dhe ata me shenja minimale që nuk ekzaminohen, ata që ekzaminohen dhe testet iu dalin negativ, por kanë Covid, bëjnë simptomatikë, por nuk besojnë te Covid, prandaj numri duhet të jetë më i lartë dhe duhet kujdes i madh”.
Por kur sipas pneumologut Ardian Jorgji pritet një përmirësim i situatës epidemiologjike në vend?
‘Deri tani mund të themi se i ngrohti ndikon në agresivitet dhe infektueshmëri. Mendoj se për dy tre jave presim sërish rritje, më pas shpresojmë të kemi ulje”, thotë ai.
“Omicron” po infekton dhe ata që e kanë kaluar më herët Covid e të vaksinuarit, por mjeku thotë se këta persona përgjithësisht e kalojnë më lehtë sëmundjen dhe apelon për tu vaksinuar./abcnews.al