Qytetarët të marrin masa! Ardhja e Erdogan në Shqipëri “blindon” vendin, rrugët që do të bllokohen dhe bizneset që duhet të mbyllen

Policia  e Shtetit, përmes një njoftimi, ka bërë me dije se për të hënë, për shkak të vizitës së presidentit turk në Shqipëri, do të blindohen shumë zona.

Përdoruesit e rrugës që udhëtojnë në aksin rrugor Milot-Vorë-Milot dhe në rrugët hyrëse dhe dalëse në këtë aks rrugor, të hënën, nga ora 07:00 e mëngjesit deri në orën 14:00 të po kësaj date, ky aks do të jetë i bllokuar për lëvizjen e kamionëve.

Gjthashtu do të ketë kufizime edhe për kategoritë e tjera të automjeteve rrugore, të cilat duhet të përdorin rrugë dytësore për të qarkulluar në këtë orar.

Po ashtu do të ndalohet lëvizja e mjeteve në itinerarin mbikalimi i Laçit – Laç nga ora 08:30 deri në orën 12:30.

Si dhe prej orës 08:30 deri në orën 10:00 të po kësaj date, do të ketë ndalim qarkullimi për automjetet, në segmentin rrugor Rinas-Vorë-Rinas.

Kufizime të lëvizjes do të ketë dhe për bizneset që ushtrojnë aktivitetin në aksin rrugor Vorë-Milot-Vorë, si dhe bllokime të lëvizjes së automjeteve në disa segmente rrugore në Tiranë, në orare të ndryshme të hënën.

Për qytetarët që do të kenë fluturime me avion nga Rinasi, policia u bën thirrje të marrin masa.

“Policia e Shtetit ka marrë të gjitha masat për kufizimin e këtyre lëvizjeve dhe në këtë kuadër kërkon mirëkuptimin dhe ndihmën e përdoruesve të rrugës që gjatë kohës së kufizimit dhe ndalimit të lëvizjes të mos planifikojnë lëvizje në këto akse dhe të zbatojnë me rigorozitet udhëzimet e punonjësve të Policisë së Shtetit që do të jenë të planëzuar në shërbim në këto akse rrugore. Qytetarët që duan të udhëtojnë në drejtim të Rinasit, me qëllim udhëtimin jashtë shtetit, me avion, të marrin masa për të lëvizur para orës së bllokimit të lëvizjes së automjeteve”, njofton policia./albeu.com


Shtuar 15.01.2022 17:02