Kryedemokrati Lulzim Basha, edhe sot vendosi tw takojw nga afwr tregtarë dhe pronarë biznesesh në Tiranë, ku bisedoi për krizën e shkaktuar nga pandemia në vend.
Tregtarët u ankuan për mungesë mbështetje nga qeveria, ndërsa thanë se konsumi ka rënë dhe se janë detyruar të mbyllin vende pune nga pamundësia për t’i paguar.
“Puna është copë-copë, dy-tre veta kanë ardhur, pesë shitje për dy javë. I kemi hequr sepse s’ka punë, s’të leverdis.”- i tha një tregtar Bashës.
“Këtë duhet të kishte bërë shteti, ata të pestë t’i mbante me rrogë nga taksat tuaja se taksat për këtë punë duheshin”- u shpreh kreu i PD.
Një tregtar tregoi se ka mbajtur në punë 3 vetë dhe ka hequr 3 të tjerë, ndërsa pagesën e ndihmës nuk e kanë marrë. “Nuk e kuptoj pse e mbajnë deri në 5.30. Atëherë sulmon koronavirusi? Nuk e di si do të funksionojë kjo punë, por jemi në pikë të hallit”- tha një tregtar tjetër.
“Është për t’u paguar qera, sigurimet shoqërore. Dyqani me të vërtetë ka një javë që është hapur, por xhiroja është në nivelet më minimale”- i tha një tregtar Bashës, ndërsa një tjetër donte të dinte pse qeveria nuk ndihmon qytetarët e saj, megjithëse ka siguruar financime nga Europa dhe FMN-ja. “Ku janë këto pare?”- pyeti një pronar biznesi gati në faliment.
“Paret po shkojnë tek pesë njerëz. Si përpara pandemisë, si përpara tërmetit pesë njerëz marrin të gjitha paret e taksave tuaja”- tha Basha.