“Pashë vdekjen me sy”, Alfred Lela rrëfen tmerrin në Munellë: Stuhia frynte nga dy krahët, ishim pa fat

Gazetari Alfred Lela ka rrëfyer aksidentin e mbrëmjes së djeshme në majën e Munellës, në Pukë, ku një aplinisti Ndoc Mulaj gjeti vdekjen, ndërsa 30-vjeçari Ilir Shyti u lënduar rëndë dhe ndodhet në spital.

Në një prononcim për Neës 24, Lela ka rrëfyer orët e tmerrit ku tha se ka parë vdekjen me sy. Ai bëri një rezyme të gjithë ngjarjes ku tregoi si moti i kishte “tradhtuar”.

“E kapëm majën, aty nisi një stuhi që frynte në dy krahët dhe na bëri të pamundur kapërcimin në anën tjetër të majës për t’u ulur në një drejtim tjetër. Era ishte e tillë saqë na merrte mbrapsht. U detyruam të iknim mbrapsht. Ishim pa fat, sepse era dhe i ftohti kishin mbuluar gjurmët duke e bërë uljen më të vështirë.

Në përpjekje për t’u ulur rrëshqitën 3 prej nesh, unë i pari. Me ndihmën e Zotit jam ndalur aty ku nuk mendoja se do të ndalesha më, mendoja se e kisha mbyllur me këtë botë. Më ka ndaluar një objekt pa shkuar në anën tjetër të shkëmbit. Kyçi besoj që është thyer, shpresoj të jetë ndrydhur. Na janë dashur rreth 1 orë për të zbritur sepse era ishte forcuar shumë nga i ftohti. Kjo është rezymeja.

Ne jemi grup që bëjmë ekspedita prej shumë vitesh. Ishim një grup miqsh që do të bënim ngjitjen e fundit të vitit e ndërkohë unë dhe kameramani po xhironim e filmonim”,  tha gazetari ndërsa akoma nuk ishte gjetur trupi i pajetë i alpinistit./albeu.com

 


Shtuar 31.12.2021 12:10