Çfarë ndodhi? U përfshi në aksident, flet për herë të parë Alfred Lela

Një grup alpinistësh, mes tyre edhe gazetari dhe drejtori i Politiko.al, Alfred Lela janë rrëzuar teksa ngjisnin malin e Munellës në Gjegjan të Pukës.

Shkak është bërë moti i keq me stuhi të fortë dhe borë.

I kontaktuar me telefon, gazetari Lela ka deklaruar se një alpinist është plagosur, një tjetër ka humbur kontaktet, ndërsa ai vetë është dëmtuar në këmbë.

Lela ka deklaruar se teksa ata bënin ngjitje në mal në kushte të vështira të motit kanë rrëshqitur në borë dhe për pasojë kanë marrë dëmtime në trup, ndërsa vijojnë kërkimet për alpinistin që ka humbur kontaktet.

Për shkak të terrenit shumë të vështirë, pritet ndërhyrja me helikopter për operacionin e shpëtimit.

Mësohet se Lela, i shoqëruar nga operatori Gisel Dollani dhe tre personat e tjerë ishin nisur për të bërë një reportazh për masivin pyjor të Munellës, pretendent për t’u futur në listën e zonave të mbrojtura.

Më herët, në media u raportua se gazetari Lela bashkë me dy alpinistë janë aksidentuar me një automjet të dalë nga rruga, por Politiko.al konfirmon se nuk ka ndodhur asnjë aksident me makinë.

 


Shtuar 30.12.2021 20:13