Policia e Shkodrës, ka arrestuar një 21-vjeçar nga Azerbajxhani, i cili dyshohet se po ndihmonte 6 shtetas nga vende të treta të kalonin ilegalisht kufirin shtetëror.
I arrestuari është shtetasi me inicialet F. B., banues në Zagatala, Azerbajxhan. Ai u kap teksa lëvizte me automjet dhe transportonte 6 persona që dyshohet se synonin të kalonin në mënyrë të paligjshme drejt Malit të Zi.
Të lidhura
None found
Operacioni i koduar “Transit 5” u zhvillua nga shërbimet e Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Shkodër, në kuadër të kontrolleve kundër veprimtarisë kriminale që lidhet me ndihmën për kalim të paligjshëm të kufirit.
Gjatë operacionit, shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare dhe Migracionit Bajzë e arrestuan në flagrancë 21-vjeçarin.
F. B. u ndalua në rrugën automobilistike në Vukpalaj, pranë kufirit me Malin e Zi, ndërsa drejtonte një automjet tip “Hyundai” me 6 shtetas nga vendet e treta.
Policia dyshon se këta persona synonin të kalonin në mënyrë të paligjshme kufirin shtetëror me Malin e Zi.
Materialet procedurale iu përcollën Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për vijimin e veprimeve të mëtejshme.






