Pas Gjermanisë dhe Italisë, Premier League zbulon përqindje e të pavaksinuarve

Çështja e infektimeve si pasojë e variantit Omicron ka sjellë shumë shqetësim në Premier League. 10 ndeshje të kampionatit anglez janë anuluar në ditët e fundit pasi shumë lojtarë dhe pjesëtarë të stafeve të skuadrave kanë rezultuat të infektuar.

E gjithë kjo situatë, ka nxjerrë në pah edhe njëherë përqindjen e lojtarëve të vaksinuar dhe atyre të pavaksinuar. Përqindja e këtyre të fundit është ndjeshëm inferiore teksa ata që ende nuk kanë marrë të paktën një dozë të vaksinës është në masën e 16%.

Nga ana tjetër, të vaksinuarit me të paktën një dozë janë në masën e 84%, por nëse në këtë statistikë shtohen edhe pjesëtarët e stafeve, atëherë përqindja e të vaksinuarëve të paktën me një dozë mbërrin në 92%. Gjithsesi, kjo shifër e Premier League është inferiore kur vjen puna në krahasimin me Gjermaninë apo Italinë.

Kështu, në Gjermani janë të vaksinuar të paktën me një dozë 94% e lojtarëve dhe pjesëtarëve të stafeve, ndërsa në këtë aspekt rekordin e mban Italia me 98% të lojtarëve dhe stafeve të cilët kanë marrë të paktën një dozë të vaksinës dhe kanë nisur kështu procesin e imunizimit.

Ndërkaq, pavarësisht gjithë situatës alarmante, klubet e Premier League kanë vendosur në një mbledhje ditën e hënë që të mos shtyjnë më ndeshjet e radhës dhe të zbresin normalisht në fushë në datat 26, 28, 30 dhjetor, si dhe më 1 e 2 janar të vitit 2022.


Shtuar 21.12.2021 12:00