I dërguari special i Presidentit të SHBA, Joe Biden për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar ka folur lidhur me sanksionet kundër politikanëve të korruptuar në Ballkanin Perëndimor.
Sipas Eskobar me “non grata” dhe sankione ekonomike do të ndëshkohen jo vetëm liderët e korruptuar, por edhe biznesmenët që i mbështesin.
Thirrja e tij vjen pak kohë pas shpalljes “non grata” të ish-kryeministrit shqiptar, Sali Berisha.
“Sanksionet zbatohen për individë dhe politikanë që duhet të jenë personalisht të përgjegjshëm. Ne i kemi këto akte të gatshme në tavolinë të shoqëruara me mjete, sanksione ekonomike që mund të vendosen kundër liderëve, por edhe ndaj atyre kompanive që i mbështesin ata”, ka thënë ai.
Në vendin tonë deri më sot janë shpalur 3 politikanë, Sali Berisha, Tom Doshi, Vangjush Dako, po ashtu edhe ish-kryeprokurori Adriatik Llalla.
BALLKANI I HAPUR
Gjatë vizitës në Bosnjë dhe Hercegovinë, Gabriel Escobar, theksoi se edhe shtetet e tjera te rajonit duhet t’i bashkëngjiten iniciativës së Ballkanit të Hapur.
“Unë e kuptoj hezitimin për Ballkanin e Hapur. Shtetet e Bashkuara mbështesin të gjitha nismat që integrojnë ekonomikisht rajonin, përfshirë Ballkanin e Hapur, iniciative qe aktualisht përfshin Maqedoninë e Veriut, Serbinë dhe Shqipërinë. Njerëzit e biznesit, të rinjtë, ekonomitë po zhvillohen dhe autoritetet boshnjake duhet të kuptojnë se ky është një shans dhe ata duhet të shkojnë në atë drejtim.
Ne e shohim Ballkanin e Hapur si një shans dhe do të sigurojmë që kjo iniciative të jetë efektive jo për përfitime politike, por për të ngritur rajonin në nivelin e standardeve evropiane”, shtoi Eskobar./albeu.com/