Celibashi thirrje partive politike: Jemi të gjithë në vëzhgim

Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi në një bashkëbisedim me gazetarët u ka bërë thirrje partive politike që të zhvillojnë një fushatë elektorale të qetë dhe tu krijojnë lehtësi votuesve.

Sipas Celibashit, të gjithë janë në vëzhgim dhe për secilin do të ketë një gjykim.

‘Sa nuk është vonë gjithkush prej nesh po përfshi edhe institucionin e KQZ-së, por vlen dhe për kandidatët, çfarë vlen për të korrigjuar duhet ta bëjmë me qëllim që këto zgjedhje të jenë jo vetëm zgjedhjet më të mira se të shkuarat, por në përputhje me standardet demokratike. Jemi në vëzhgim dhe në fund të ditës për secilin prej nesh do të ketë një gjykim. Është rasti për t’ju thënë dhe adresuar një thirrje kandidatëve që të angazhohen në një fushatë të qetë dhe tu krijojnë lehtësi votuesve.’- tha Celibashi.
Celibashi theksoi se me fletën e votimit me numra është marrë konfirmimi se kompania i qëndron afateve.

“Ne kemi komunikuar herët në mëngjes me përfaqësuesit e kompanisë sllovene dhe kemi marrë konfirmimin sikurse është fleta e votimit tani ata mund t’i qëndrojnë afateve që ne kemi kërkuar për printimin dhe për t’i sjellë këtu në KQZ. Kështu që nuk kemi asnjë lloj problemi me sjelljen e fletëve votimi. Do të jetë e njëjtë në të gjitha qarqet.

Nëse do të kishim edhe një vonesë më shumë në lidhje me kohën se kur do të kishim versionin përfundimtar të fletës së votimit, do të paguanin më shumë për transportin duke qenë se mund të ishim në kushte të emergjencës. Kemi tashmë gjithë mirëkuptimin e kompanisë sllovene. Informacionin duhet t’ua kishim dhënë që në 26 mars. Ata me të njëjtat financa do të përmbushin punën e tyre për t’i printuar dhe për të kryer transportin.’- tha Celibashi.

CETIS i dërgoi një letër KQZ-së ku shprehej se për shkak të vështirësive teknike nuk mund të përgatiteshin fletët e votimit brenda 10 ditëve. Megjithatë ky problem duket i tejkaluar me fletën e re të votimit me numra, e cila ka dimensione më të vogla dhe nuk paraqet probleme në raport me kohën dhe transportin.


Shtuar 5.04.2021 11:34