KONFIRMOHET/ Gjasula rezulton pozitiv me Covid-19, mungon ndaj Polonisë

Një tjetër futbollist do t’i mungojë Kombëtares shqiptare në sfidën vendimtare ndaj Polonisë, që luhet këtë të martë në stadiumin “Air Albania” të Tiranës. Departamenti i Komunikimit në FSHF bën me dije se mesfushori Klaus Gjasula nuk do të jetë në dispozicion të skuadrës, pasi rezultoi pozitiv me Covid-19.

Futbollisti kuqezi ka pasur simptoma dhe ka bërë menjëherë testin me tampon, ku më pas ka rezultuar pozitiv. Në këto kushte në bazë të protokollit sanitar i gjithë ekipi dhe stafi teknik kanë kryer sërish testin me tampon dhe të gjithë kanë rezultuar negativ.

Klaus Gjasula bëhet kusht mungesa e pestë e kuqezinjve në ndeshjen shumë të rëndësishme ndaj Polonisë, e vlefshme për eliminatoret e Botërorit “Katar 2022”. Përveç mesfushorit trajnerit Reja do t’i mungojnë edhe Bekim Balaj e Berat Gjimshiti të dëmtuar, Endi Çekiçi i skualifikuar dhe Sokol Cikalleshi, i cili gjithashtu ka rezultuar pozitiv me Covid-19 në testet e një dite më parë.


Shtuar 12.10.2021 15:14