Janë publikuar pamjet e momenteve të fundit nga arratia e 21-vjeçarit Aldi Rama, i cili dyshohet se ishte pikërisht personi që qëlloi me një plumb në zemër policin Saimir Hoxha në Lezhë.
Pas disa orësh ndjekje nga RENEA e FNSH, Aldi Rama ka qëlluar vetën për t’i dhënë fund jetës por ka mbetur i plagosur në gjendje të rëndë. Pas këtij episodi forcat e policisë e kanë rrethuar dhe drejt tij ka shkuar edhe një ambulancë. ABC ka siguruar pamjet e momentin ku 21-vjeçari futet në ambulancë dhe transportohet me urgjencë drejt spitalit.
Burime zyrtare bëjnë me dije se i riu është në gjendje kritike për jetën. Ai qëlloi veten teksa efektivët e policisë po i kërkonin të dorëzohej.
Kujtojmë se oficeri i krimeve Saimir Hoxha u vra mëngjesin e sotëm me një plumb në zemër nga Aldi Rama teksa po kryente një operacion rutinë kundër kultivimit të kanabisit në zonë.
Hoxha u qëllua teksa ndaloi makinën ku ndodhej 21-vjeçari Aldi Rama me dy të tjerë. Ndërkohë që i bëri shenjë makinës të ndalonte, Rama nxori armën duke e qëlluar shefin e krimeve me një plumb në zemër, i cili edhe i shkaktoi vdekjen. /abcnews.al/