Gjatë konferencës së përbashkët me Albin Kurti, kryeministri Edi Rama është pyetur nga gazetarët edhe për deklaratën e tij të dhënë gjatë vizitës së Angela Merkel në Tiranë.
Kreu i qeverisë tha atëherë se “Kosova bën konspiracion për Ballkanin e Hapur”. Lidhur me këtë kryeministri theksoi se nuk është cituar mirë, ndërsa zbuloi edhe mesazhet e ditëve të fundit. Sipas tij, pavarësisht situatës në veri të Kosovës ditëve të fundit është më shumë i bindur se “Ballkani i Hapur” është rruga e përbashkët, ndërsa shtoi se me Kurtin ka vetëm mosdakordësi politike për këtë çështje.
“Nuk me citoni si duhet. Dua të them se kam pasur shumë mesazhe këto ditë për shkak të situatës së krijuar nga Kosova ku pavarësisht larmisë së toneve një thelb ishte: ‘po tani a je i bindur se nuk bëhet Ballkani i Hapur me Serbinë’. Tani jam edhe më i bindur se Ballkani i Hapur është rruga jonë e përbashkët. Ka një dallim sipas meje mes nacionalizmit dhe patriotizmit. Natyrisht që kemi një mosdakordësi me Albinin në këtë pikë. Kjo është mosdakordësi e natyrës politike dhe duhet ta trajtojmë si të tillë, marrëdhëniet tona nuk ndikohen në shëndetin e tyre. Ndërkohë që themeli i dakordësisë tonë është i një natyre tjetër, kombëtare dhe vëllazërore. Të jetojmë një ditë të pandarë në një Europë të bashkuar, shqiptarët, por edhe serbët e boshnjakët të jenë. Siç është e pashmangshme që Serbia do ta njohë Kosovës dhe kërkesa për faljen e krimeve jo vetëm do vijë por do vulosë paqen. Ne mund të kemi edhe arsyetime të ndryshme,” tha Rama./albeu.com