Tensionet ne veri të Kosovës, reagon Basha: Shqipëria duhet të reagojë ndaj akteve kriminale të Serbisë (FOTO LAJM)

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka reaguar për situatën e tensionuar në Kosovë.

Basha e ka quajtur të drejtë vendimin e Albin Kurtit për reciprocitetin e targave dhe aktet e qeverisë së Vuçiç, i ka quajtur si akte terroriste.

Basha i bën thirrje edhe qeverisë shqiptare që të mos heshtë përballë kësaj situate por të reagojë dhe ta dërgojë zërin e Kosovës në institucionet më të larta ndërkombëtare.

Postimi i Bashës:

Po ndjek me shqetësim situatën e krijuar në veri të Kosovës, pas vendimit të drejtë dhe legjitim të qeverisë për vendosjen e reciprocitetit.

Aktet kriminale të ndodhura në 24 orët e fundit të frymëzuara nga Beogradi zyrtar, synojnë destabilizimin e Kosovës dhe krejt rajonit për interesat politike të Aleksandër Vuçiç.

Shpreh mbështetjen e plotë dhe të fuqishme për qeverinë e Kosovës, institucionet e saj dhe të gjithë faktorin politik të angazhuar në përballimin e kësaj situate.

Detyra e Shqipërisë, edhe si vend anëtar i NATO-s, nuk është të heshtë por të përdorë të gjithë mekanizmat e saj diplomatikë për të ndihmuar në zgjidhjen e kësaj situate. Nuk mund të tolerohen tanket dhe avionët ushtarakë që mësyjnë kufijtë e Kosovës, duke kërcënuar paqen dhe sigurinë e të gjithë rajonit./albeu.com


Shtuar 25.09.2021 18:24