Iu përputhën gjurmët e gishtave! Shenjat që fundosën 37-vjeçarin për vrasjen e Agim Buçit

Albert Zaja, i arrestuari i vetëm si një nga autorët e dyshuar të vrasjes së Shkëlzen Kastratit në Fier duket se nuk e ka krimin e parë!

37-vjeçari akuzohet se është përfshirë në një tjetër ngjarje kriminale, që përfundoi me vrasjen e një personi.

Dyshohet se në grabitjen e ndodhur më 25 prill 2018, ku gjatë një grabitje me armë zjarri në një market, u vra në sy të djalit vetëm 6 vjeç, Agim Buçi, bashkëpunëtor ishte edhe Zaja. Atë natë, e plagosur mbeti gruaja e viktimës.

Për vrasjen dhe plagosjen e ndodhur, Policia arrestoi dy autorët Vladimir Kurti, i dënuar me burg përjetë dhe Ruzhdi Hoden, me 26 vite heqje lirie.

Por pas arrestimit, Zaja ka vendosur gjurmët e gishtave, të cilat janë përputhur plotësisht me ato të gjetura në automjetin tip “Volklsvagen”, me të cilët u larguan autorët. Dyshohet se 37-vjeçari ka qenë bashkëpunëtor në krim, duke luajtur rolin e shoferit, ndërsa pritet t’i komunikohet akuza e “Vjedhjes me armë me pasojë vdekjen”, e kryer në bashkëpunim.

Albert Zaja ndodhet në qeli për vrasjen e Kastratit, ndërsa në kërkim vijojnë të jenë bashkëpunëtorët e tij, Elson Xheçuka, Roland Cara dhe Elmir Tufa. /abcnews.al

 


Shtuar 31.03.2021 19:23