Roma e Mourinhos, portugezi: Skuadër e bashkuar, ky do të jetë çelësi i suksesit

Roma e Mourinhos e ka nisur shumë mirë edicionin e ri duke realizuar dy fitore në dy ndeshjet e para të Kampionatit Italian.

Mourinho ka folur në një intervistë për kanalin zyrtar të Serie A.

“Ky është një projekt në të cilin pronarët duan të lënë një trashëgimi, ata duan të bëjnë diçka shumë të rëndësishme për klubin në një mënyrë shumë të qëndrueshme. Ne duam që Roma të jetë e suksesshme në të ardhmen”.

Portugezi beson se ai është një trajner më i mirë tani sesa gjatë kohës sa ishte te Interi.

“Unë jam shumë më mirë tani, jam serioz. Ndihem i përmirësuar tani sepse kjo është një punë ku përvoja ka shumë rëndësi”.

“Çdo gjë bëhet një dejavù sepse unë kam përjetuar kaq shumë përvoja që kur kam lënë Italinë. Sigurisht, është një gjë të vish në një vend për herë të parë, ku fillon nga e para dhe ke kaq shumë gjëra për të mësuar”.

“Ky nuk është rasti im, unë e njoh Italinë, e njoh kulturën e futbollit. Unë e di për Romën, e cila ishte rivalja ime e vërtetë, ajo po luftonte me ne për titujt vendas. Tani jam gati për këtë”.

Mourinho theksoi se ai dëshiron të krijojë një Romë të bashkuar dhe shpreson se lojtarët e tij e dinë se ai dëshiron të “japë gjithçka për ekipin”.

“Unë gjithmonë kam thënë se mund të njihni një lojtar vetëm nëse punoni me të. Por në realitet, kur jeni me ta në fushë, kur shikoni vështirësitë, kur përjetoni gjërat pozitive, do të thotë që filloni t’i njihni vërtet”.

“Të gjithë duhet të ndiejnë se unë dua t’i jap gjithçka skuadrës. Të gjithë duhet të jenë të lumtur kur fitojmë, të gjithë duhet të jenë të trishtuar kur humbim, por të gjithë duhet të jenë të bashkuar si një ekip”, përfundoi Jose Mourinho.


Shtuar 8.09.2021 20:52