“Përqafime nga larg dhe me patjetër do të takohemi kur të mbarojë lufta”
Kështu shkruan kryeministri Rama në Facebook ndërkohë që shpërndan mesazhin e pacientes së 69-të të diagnostikuar me koronavirus në Shqipëri nga 76 në total.
“Nuk kemi pasur kontakte me njerëz të ardhur nga jashtë apo të prekur me koronavirus.
Është një rrezik të cilin nuk mund ta shohim, e kemi përballë.
Ky virus nuk është shaka, po ua thotë dikush që po vuan pasojat, që ka dikë në spital dhe është vetëkarantinuar”, thotë e reja në video.
E reja kërkon që të qëndrohet në shtëpi dhe të tregohet kujdes maksimal.
Mesazhi i saj është shpërndarë nga Kryeministri Edi Rama, shoqëruar edhe me “përqafimet” për të.
“Ti nuk do jesh kurrë vetëm. Ti zemër do ia dalësh padiskutim dhe unë jam me ty, të gjithë ne jemi me ty, deri kur të shërohesh plotësisht!
Por ti meriton edhe një falenderim të megjithëzemërt, për fjalët e thjeshta, të vërteta, të ndjera, që ke ndarë me të gjithë ne, sot kur të gjithë kanë nevojë të dëgjojnë dhe disa prej nesh, kanë akoma nevojë të kuptojnë që jemi në një luftë botërore për jetën, jo në një lojë kukamçefthi, ku kemi të drejtën të mërzitemi e të ankohemi pse po e kufizojmë skajshmërisht lirinë tonë!
Ti nuk ke nevojë për kurajo, sepse dalja jote publikisht tregon se kurajon e ke të jashtëzakonshme, kështu që unë nuk mund të të jap kurajo ty, po dua të të falenderoj për kurajon që ti më dhe mua me fuqinë magnetike të brishtësisë tënde.
“Përqafime nga larg dhe me patjetër do të takohemi kur të mbarojë lufta”. /albeu.com/