Po festonte fundin e karantinës, vajza bie nga shkëmbi dhe humb jetën

Donte të festonte fundin e karantinës me një foto nga maja e një shkëmbi në parkun e Dudenit, në Turqi, por rrëshqiti duke rënë nga një lartësi prej 35 metrash.

Vajza që humbi jetën në aksidentin fatkeq është një 31-vjeçare me origjinë nga Kazakistani, Olesia Suspitsina, që prej disa vitesh ishte transferuar në Adalia, ku punonte si guidë turistike.

Parku ku ndodhi ngjarja njihet për bukurinë natyrore dhe ujëvarat e mrekullueshme. Pas disa javësh e mbyllur në shtëpi, Olesia dhe një mikeshë e saj kishin dalë për shëtitje dhe që ta kremtonte këtë moment, ajo qe ngjitur në majë të shkëmbit, por I rrëshqiti këmba për shkak të barit, humbi ekulibrin dhe ra. E tmerruar shoqja e saj thirri ekipet e ndërhyrjes së shpejtë.

Trupi i vajzës u gjet më vonë në ujë nga një skuadër zhytësish. Turqia numëron deri tani mbi 3.170 vdekje nga Covid 19 dhe 120.200 infektime.

Zyrtarët e shëndetësisë atje thonë se piku I sëmundjes u arriti 6 javë pas konfirmimit të rastit të parë. Në vend janë krijuar rreth 6.000 ekipe gjurmimi që kontrollojnë zinxhirin e kontakteve të personave të cilët rezultojnë të prekur.


Shtuar 1.05.2020 12:01