OBSH sqaron deklaratën: A e shpërndajnë virusin asimptomatikët?

Organizata Botërore e Shëndetësisë, përmes një deklarate të dhënë dje, ka sqaruar komentet konfuzuese të njerëzve, rreth mënyrës së si personat asimptomatikë mund ta përhapin virusin.

Fillmisht, u tha se njerëzit që nuk kanë simptoma të Covid-19, rrallë mund ta transmetojnë virusin, por ky mesazh është keqkuptuar nga një pjesë e mirë e njerëzve të cilët tani mendojnë se nuk është nevoja për maska apo distancë sociale.

Për të sqaruar deklaratën në fjalë, përfaqësues të OBSH-së thonë se ende “ka shumë gjëra që s’dihen”.

Maria Van Kerkhove nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, e cila gjatë një konference në Gjenevë tha se “duket e rrallë që një person asimptomatikë të transmetojë virusin te një individ tjetër”, tani shton se kjo çështje ka të panjohura shumë të mëdha.

“E dhëna më e sigurtë që kemi dhe dimë është rreth njerëzve që kanë simptoma, të cilët e transmetojnë virusin përmes stërkalave tek të tjerët- por ka një sërë njerëzish që nuk zhvillojnë simptoma dhe për ta ka ende shumë pyetje që s’i kemi dhënë akoma përgjigje. Ne dimë gjithashtu që disa njerëz që janë asimptomatikë, mund ta transmetojnë virusin.

Prandaj, ajo që na nevojitet për të kuptuar më mirë është se sa njerëz në popullatë nuk kanë simptoma të Covid-19 dhe veçanërisht sa prej këtyre individëve mund t’jua transmetojnë të tjerëve.”- u shpreh Van Kerkhove, e cila më herët tha se rastet asimptomatike, në përgjithësi shfaqin simptoma shumë të buta.


Shtuar 10.06.2020 10:22