Komuna e Malishevës hap shkollat dhe çerdhet

Komunën e Malishevës në Kosovë ka hapur të gjitha shkollat, përkatësisht klasat e nënta, e po ashtu edhe çerdhe.

Kjo është bërë e ditur nga drejtori për Arsim dhe Edukim, Blerim Thaçi, i cili edhe i ka vizituar disa nga shkollat, për të parë nga afër procesin e hapjes së shkollave për klasat nënta, për parapërgatitjet për testin e arritshmërisë.

Sipas Thaçit komuna i ka marrë të gjitha masat e sigurisë në raport me pandeminë COVID-19, me qëllim të mbrojtjes së shëndetit të nxënësve dhe mësimdhënësve.

“Kemi bërë dezinfektimin e shkollave dhe të çerdhes, e po ashtu, kemi pajisur nxënësit me maska, si dhe të gjitha shkollat janë pajisur me dezinfektues për duar”, tha drejtori Thaçi.

Zyrtarët e drejtorisë së arsimit, e kanë vizituar edhe çerdhen, e cila gjithashtu është hapur sot, pasi janë krijuar kushte për hapjen e saj dhe numri i fëmijëve në çerdhe ishte i konsiderueshëm.

Thaçi ka zhvilluar një takim edhe me komandantin e stacionit policor në Malishevës, kapitenin Azem Krasniqi dhe zyrtarët tjetër përgjegjës policor, me të cilët kanë biseduar për bashkëpunimin në mes të dy institucioneve për hapjen e shkollave dhe zbatimin e masave mbrojtëse në raport me COVID-19, si dhe për mbarëvajtjen e mësimit.

Po ashtu në këtë takim, u bë e ditur se Policia e Kosovës në bashkëpunim me Drejtorinë për Arsim dhe Edukim, do të mbajnë edhe ligjërata për masat mbrojtëse në raport me pandeminë.


Shtuar 10.06.2020 10:19