Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, zhvilloi një takim me presidenten e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka-Pula, në kuadër të pjesëmarrjes në Takimin e liderëve të Procesit Brdo-Brioni, që u mbajt në Ohër.
Sipas njoftimit të Presidencës së Maqedonisë së Veriut, gjatë bisedës u vlerësua se raportet mes dy vendeve janë miqësore dhe mbështeten në komunikimin e drejtpërdrejtë mes qytetarëve e institucioneve, si edhe në bashkëpunimin e ngushtë ekonomik, tregtar dhe kulturor.
Të lidhura
None found
Dy presidentet përshëndetën krijimin e pikave të përbashkëta kufitare One Stop Shop dhe nisjen e ndërtimit të autostradës Shkup–Bllacë.
Në takim u nënvizua gjithashtu përmbyllja e procedurave për ndërtimin e tunelit që do të lidhë Prizrenin me Tetovën, si dhe puna për rikthimin e linjës hekurudhore Prishtinë–Shkup.
Siljanovska-Davkova dhe Shiroka-Pula vlerësuan pozitivisht pjesëmarrjen e grave në Samitin e Brdo-Brionit dhe theksuan rëndësinë e zgjerimit të bashkëpunimit në fushën e arsimit dhe shkencës.
“Të dy presidentet përshëndetën përfaqësimin e barabartë të grave dhe burrave në takimin e sotëm, ndërsa si profesoresha theksuan nevojën për bashkëpunim më të gjerë dhe më intensiv në fushën e arsimit dhe shkencës. Presidentet vlerësuan se fqinjësia e mirë është një parakusht i rëndësishëm për prosperitetin e Ballkanit Perëndimor, ndërsa në Procesin Brdo-Brioni shohin një instrument të domosdoshëm për ndërtimin e besimit të ndërsjellë dhe sigurimin e një perspektive të qëndrueshme evropiane”, bëri të ditur Presidenca.







