Gjatë seancës plenare në Kuvend, kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, kritikoi paketën fiskale të qeverisë, e cila parashikon që bizneset e vogla të përfshihen në skemën e TVSH-së dhe të paguajnë 20% mbi xhiron.
Për të ilustruar ndikimin e kësaj mase, Shehaj solli shembullin e një parukerie, e cila, sipas tij, pas hyrjes në fuqi të ndryshimeve do të përballet me ulje të fitimit mujor.
Të lidhura
None found
Shehaj shpjegoi se një parukeri mund të realizojë një xhiro mujore prej 8 milionë-9 milionë lekësh, por pasi të paguajë pagat e bashkëpunëtorëve, qiranë dhe shpenzime të tjera të vogla, në fund mund t’i mbeten vetëm 2 milionë, 1 milion ose 1 milion e gjysmë lekë.
“Çfarë ndodh kur e përfshini këtë biznes në skemën e TVSH-së? Nga 1 janari, xhiroja faktike e tij do të reduktohet me rreth 20%. Pronari do të detyrohet ose të rrisë çmimet, ose ta përballojë vetë TVSH-në, pasi nuk ka shpenzime të mjaftueshme me TVSH për ta zbritur”, deklaroi ai.
Gjatë debatit, Shehaj pati një përplasje me deputetin socialist Erion Bracce, i cili argumentoi se parukeritë përdorin ujë dhe për këtë arsye duhet të paguajnë TVSH.
Shehaj e kundërshtoi këtë arsyetim duke pyetur se sa TVSH mund të krijojë një parukeri nga shpenzimet mujore për ujë dhe bojëra. “Sa mijëra € shpenzon në muaj për ujë dhe për bojëra? Sa TVSH paguhet për të larë kokën tënde?”, iu drejtua ai deputetit socialist.
Sipas kreut të Partisë Mundësia, vendosja e taksës 20% mbi xhiron po dëmton bizneset e vogla dhe qytetarët që sigurojnë jetesën përmes punës së tyre.
“A e kuptoni se po rrezikoni jetën dhe bizneset e qindra mijëra shqiptarëve që përpiqen çdo ditë t’ia dalin me punën e tyre, pa kërkuar ndihmë prej jush? Me një vendim të vetëm, po i ngarkoni me TVSH sikur të mos kishte asnjë pasojë. Taksa 20% mbi xhiron po shkatërron bizneset dhe jetën e njerëzve që, me punë të ndershme, mbajnë në këmbë ekonominë e vendit”, u shpreh Shehaj.






