Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka-Pula, zhvilloi një takim me presidentin e Kroacisë, Zoran Milanoviq, gjatë zhvillimit të Procesit Brdo–Brijuni në Ohër.
Sipas njoftimit të Zyrës së Presidentes, Shiroka-Pula çmoi kontributin e Kroacisë në krijimin dhe konsolidimin e kësaj nisme rajonale, si dhe mbështetjen e vazhdueshme kroate për integrimin europian të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Të lidhura
None found
Presidentja kosovare u shpreh se Procesi Brdo–Brijuni shërben si një hapësirë e rëndësishme për dialog politik, bashkërendim mes vendeve të rajonit dhe përparimin e perspektivës evropiane të Kosovës.
Gjatë bisedës për orientimin europian të vendit, ajo nënvizoi se kursi euroatlantik i Kosovës mbetet i pandryshuar.
Një pjesë e diskutimeve iu kushtua edhe bashkëpunimit në sektorin e sigurisë dhe mbrojtjes.
Shiroka-Pula deklaroi se anëtarësimi i Kosovës në NATO përbën një prioritet strategjik dhe se realizimi i këtij synimi do të ndihmonte në forcimin e sigurisë dhe të stabilitetit afatgjatë në të gjithë rajonin. Ajo vlerësoi gjithashtu marrëveshjen trepalëshe për bashkëpunimin ushtarak mes Kosovës, Kroacisë dhe Shqipërisë, të firmosur më 18 mars 2025, duke e konsideruar atë një zhvillim të rëndësishëm për rritjen e kapaciteteve mbrojtëse dhe ndërveprueshmërisë.
Në takim u veçua edhe nevoja për zgjerimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe, veçanërisht në ekonomi, në shtimin e shkëmbimeve tregtare dhe në krijimin e mundësive të reja për investime.






