Dy persona me origjinë shqiptare janë arrestuar në Angli, pasi dyshohet se kanë hyrë në mënyrë të paligjshme në rezidencën e fshatit të Princit William dhe Princeshës Kate në pronën mbretërore Sandringham, në Norfolk.
Sipas raportimeve të mediave britanike, njëri prej dy të arrestuarve dyshohet se ndodhet ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar.
Të lidhura
None found
Ngjarja shkaktoi një alarm të madh sigurie në mbrëmjen e së hënës, pasi dy burrat depërtuan në pronën ku qëndron çifti mbretëror.
Sipas gazetës “The Sun”, dyshohet se personat nuk e dinin se banesa i përkiste Princit William dhe Princeshës Kate dhe se mund të kenë vepruar si hajdutë.
Megjithatë, autoritetet po kryejnë verifikime për të përcaktuar nëse pas hyrjes në pronë fshihet ndonjë motiv tjetër.

Raportohet se dy personat, të maskuar, kanë aktivizuar sistemet e sigurisë së rezidencës, të cilat përfshijnë kamera vëzhgimi, teknologji lazer dhe sensorë lëvizjeje në dysheme, përpara se të largoheshin nga vendi.
Pasi policia mori informacionin menjëherë u organizua një operacion kërkimi, ku u angazhuan qen policie dhe dronë.
Në operacion mori pjesë edhe një helikopter i Shërbimit Kombëtar të Policisë Ajrore, i pajisur me teknologji infra të kuqe.
Dy të dyshuarit u arrestuan brenda pronës mbretërore dhe vijojnë të mbahen në paraburgim. Policia e Norfolkut konfirmoi se në momentin e incidentit banesa nuk kishte persona brenda.

Anmer Hall, është rezidenca e pushimeve e Princit William dhe Princeshës Kate. Ajo iu dhurua çiftit nga Mbretëresha Elizabeth II si dhuratë martese, pas celebrimit të tyre në vitin 2011.
Banesa kryesore e familjes, ku çifti jeton me tre fëmijët e tyre, Princin George, Princeshën Charlotte dhe Princin Louis, ndodhet në Forest Lodge, në Windsor.
Megjithatë, familja mbretërore kalon fundjavat dhe pushimet shkollore në rezidencën e Norfolkut.









