Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Krenare Çerkini, ka kërkuar që institucionet e Kosovës të marrin pjesë dhe ta përfaqësojnë vendin në forumet e ardhshme të Bashkimit Evropian për zgjerimin.
Ajo bëri të ditur në Facebook se këtë kërkesë e paraqiti në Komisionin për Integrim Evropian, gjatë takimit me ambasadorin e BE-së në Kosovë, Dirk Schuebel, dhe përfaqësuesit e delegacionit evropian.
Të lidhura
None found
Çerkini kërkoi zotim të qartë se Kosova do të ftohet në forumet e ardhshme për zgjerimin, si dhe në takimet për programet e BE-së ku merr pjesë edhe vendi.
Gjatë takimit u diskutua edhe incidenti në koncertin hapës të Forumit të Zgjerimit në Bruksel. Çerkini kërkoi të dijë se çfarë hapash ka ndërmarrë Komisioni Evropian pasi shprehu keqardhje dhe çfarë masash do të vendosen për të shmangur përsëritjen e ngjarjeve të tilla.
Një nga çështjet e tjera të ngritura ishte Agjenda e Reformave. Deputetja i kërkoi Komisionit Evropian t’u japë përparësi drafteve që presin komentet e tij dhe të caktojë afate të qarta për kthimin e tyre.
Sipas Çerkinit, kjo do t’i jepte Kuvendit mundësinë t’i shqyrtonte reformat me kujdes dhe do ta ndihmonte Kosovën të përmbushte kushtet për përfitimin e fondeve brenda afatit të 31 dhjetorit.







