Prokuroria Themelore në Prishtinë i ka kërkuar Gjykatës Themelore në Pejë të caktojë paraburgimin për katër persona të dyshuar në lidhje me vrasjen e Arlinda Zekajt, të ndodhur më 25 tetor 2026 në Vitomiricë të Pejës. Kërkesa përfshin ish-vjehrrën e saj, Nurije Sylaj, ish-kunatin Driton Sylaj, si dhe Metë Pepajn e Gëzim Bobin.
Nurije dhe Driton Sylaj dyshohen se e ndihmuan Albert Sylajn në kryerjen e vrasjes. Për Metë Pepajn dhe Gëzim Bobin, dyshimi lidhet me ndihmën që dyshohet se i dhanë atij pas krimit. Hetimi është shtrirë edhe te ish-bashkëshorti i viktimës, Jeton Sylaj, i dyshuar për “Shtytje në vrasje të rëndë”.
Të lidhura
None found
Në kërkesën e Prokurorisë, të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, thuhet se Nurije Sylaj dyshohet të ketë vepruar me dashje për të përgatitur dhe lehtësuar veprën penale të kryer nga Albert Sylaj. Sipas dokumentit, që nga 22 tetori 2026, kur Arlinda Zekaj ishte kthyer të banonte në shtëpinë familjare, Nurije Sylaj e kishte fotografuar dhe incizuar vazhdimisht, duke mbajtur në telefon pamje të pranisë dhe lëvizjeve të saj.
Në telefonin e Nurije Sylajt, sipas Prokurorisë, është gjetur edhe një video e 23 tetorit 2026, ku viktima shihet teksa ecën në qytet. Dyshohet se këtë incizim ia kishte dërguar Driton Sylaj nëpërmjet WhatsApp-it.
Prokuroria i lidh këto veprime me një koordinim të dyshuar paraprak me persona të tjerë. Sipas saj, mbledhja, ndjekja dhe shkëmbimi i të dhënave për vendndodhjen e lëvizjet e viktimës synonin të krijonin kushtet dhe të lehtësonin realizimin e planit të dyshuar për vrasjen e saj.
Për ditën e vrasjes, Prokuroria thotë se Nurije Sylaj ndodhej në shtëpi: fillimisht në sallon dhe më pas në dhomën e gjumit, në kohën kur Albert Sylaj sulmoi Arlinda Zekajn me sëpatë. Sipas kërkesës, megjithëse ishte e pranishme dhe e dinte çfarë po ndodhte, ajo nuk bëri asgjë për ta ndalur sulmin.
Pas ngjarjes, në dëshminë e saj, Nurije Sylaj dyshohet se u përpoq të fshihte rrethanat e vërteta dhe t’i orientonte hetimet në drejtim tjetër. Ajo kishte pretenduar se viktima e kishte shtyrë e rrëzuar dhe se gjatë vrasjes kishte qenë pa ndjenja. Prokuroria thotë se provat e mbledhura deri tani nuk e mbështesin këtë version: veçanërisht një incizim i kamerave të sigurisë tregon një pjesë të ngjarjes dhe praninë e saj teksa vepronte Albert Sylaj.
Për Nurije Sylajn, dyshimi penal është për “Ndihma në kryerjen e veprës penale ‘Vrasja e rëndë’”, sipas nenit 173, paragrafi 1, pikat 1.3, 1.4 dhe 1.8, në lidhje me nenin 33 të Kodit Penal.
Edhe Driton Sylaj dyshohet se, me dashje, ndihmoi në përgatitjen dhe lehtësimin e vrasjes nga Albert Sylaj. Sipas Prokurorisë, ai ndoqi lëvizjet e Arlinda Zekajt dhe mblodhi të dhëna për vendndodhjen e saj. Më 23 tetor 2026, ai dyshohet ta ketë incizuar viktimën duke ecur në qytet dhe t’ia ketë dërguar videon Nurije Sylajt në WhatsApp. Materiali u gjet në telefonin e saj.
Në vlerësimin e Prokurorisë, Driton Sylaj i kreu këto veprime duke e ditur planin e personave të tjerë për vrasjen e viktimës. Përcjellja e informacioneve për lëvizjet e saj dyshohet se kishte për qëllim të lehtësonte kryerjen e veprës penale. Pas vrasjes, Albert Sylaj e njoftoi Driton Sylajn për atë që kishte ndodhur. Edhe ndaj Driton Sylajt rëndon dyshimi për “Ndihma në kryerjen e veprës penale ‘Vrasja e rëndë’”, sipas nenit 173, paragrafi 1, pikat 1.3, 1.4 dhe 1.8, në lidhje me nenin 33 të Kodit Penal.
Për Metë Pepajn, Prokuroria dyshon se më 25 tetor 2026 e ndihmoi me dashje Albert Sylajn t’i shmangej zbulimit dhe arrestimit. Pas vrasjes së Arlinda Zekajt, Pepaj dyshohet se e mori atë me automjetin e tij dhe e çoi në fshatin Bec, larg vendit ku mund të gjendej nga organet kompetente. Në këtë mënyrë, sipas Prokurorisë, Albert Sylaj arriti t’i shmangej përkohësisht kapjes nga policia. Pepaj dyshohet për “Dhënia e ndihmës kryerësve pas kryerjes së veprës penale”, sipas nenit 380, paragrafi 3 të Kodit Penal.
Gëzim Bobi dyshohet gjithashtu se e ndihmoi me dashje Albert Sylajn të mos zbulohej e të mos arrestohej. Sipas kërkesës, më 25 tetor 2026, pasi Metë Pepaj e kishte dërguar Albert Sylajn në Bec, Bobi e mori dhe e strehoi në banesën e tij në Gjakovë. Më 26 tetor 2026, rreth orës 11:30, ai dyshohet se e transportoi me automjetin e vet drejt fshatit Maznik, që të vazhdonte fshehjen dhe shmangien nga organet kompetente. Dyshimi ndaj Bobit është për “Dhënia e ndihmës kryerësve pas kryerjes së veprave penale”, sipas nenit 380, paragrafi 3 të Kodit Penal.
Prokurori Armend Hamiti ka vlerësuar se plotësohen kushtet për paraburgim. Sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se Nurije dhe Driton Sylaj e ndihmuan Albert Sylajn në kryerjen e veprës, ndërsa Metë Pepaj dhe Gëzim Bobi pas kryerjes së saj.
Prokuroria thotë se ky dyshim mbështetet në prova materiale dhe personale të administruara gjatë hetimit. Ajo veçon ekzaminimin e kamerave të sigurisë dhe të telefonave të sekuestruar, prova të tjera materiale, deklaratat e të dëmtuarës, si dhe procesverbalet e marrjes në pyetje të dëshmitarëve dhe të të pandehurit Albert Sylaj.
Një arsye tjetër e paraqitur për paraburgimin është rreziku që, po të lihen të lirë, të pandehurit të pengojnë procedurën. Prokuroria përmend mundësinë e ndikimit, frikësimit ose ushtrimit të presionit ndaj dëshmitarëve, veçanërisht familjarëve të tyre.
Nga kontrolli i telefonave të sekuestruar, sipas kërkesës, kanë dalë komunikime shqetësuese dhe kërcënuese ndaj dëshmitares A.S. dhe të miturës NN. Prokuroria vlerëson se ato tregojnë mundësinë e ndikimit në sjelljen dhe qëndrimin e tyre.
Në një mesazh drejtuar vajzës së mitur të Albert Sylajt, sipas dosjes, përdoren fjalë fyese e nënçmuese në lidhje me rrethanat e rastit: “është qika e re, mashtrohet naj sen, ma q**** nanen mos u bofshi ma zi se ajo“.
Për Prokurorinë, këto komunikime dëshmojnë një klimë presioni ndaj njerëzve që dinë për ngjarjen ose mund të ndihmojnë në zbardhjen e saj. Ajo vlerëson gjithashtu se lënia në liri e të pandehurve sjell rrezik për përsëritjen e veprave penale.
Në kërkesë kërkohet të merret parasysh pesha e veprës dhe mënyra mizore e kryerjes së saj, të cilën Prokuroria e lidh me hakmarrje të paskrupullt ndaj Arlinda Zekajt. Sipas saj, ngjarja erdhi si pasojë e veprimeve të mëhershme të Jeton, Nurije dhe Driton Sylajt, të zhvilluara edhe në prani të fëmijëve të të pandehurit, përkatësisht djalit të viktimës. Prokuroria i jep rëndësi edhe faktit që nuk u ndërmorën veprime për ta parandaluar vrasjen, megjithëse, sipas saj, kishte mundësi për reagim.
Ekzaminimi i telefonave të Nurije dhe Driton Sylajt, sipas Prokurorisë, nxjerr në pah se në komunikimet e tyre shqetësimi kryesor nuk ishte vrasja e Arlinda Zekajt, por mundësia që të zbulohej bashkëpunimi dhe përfshirja e tyre në ngjarje.
Në dosjen e siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, Prokuroria përmend edhe komunikime ku, sipas saj, të pandehurit ushtrojnë presion dhe bëjnë kërcënime lidhur me mundësinë për të jetuar te familja e A.S. Në njërin prej tyre thuhet: “Diçka nije për to, shoh diçka, dije se tona trutë në tokë kom me ja qitë kësaj e ty, me ditë që s’e shoh diellin kurrë me sy“.
Sipas Prokurorisë, këto kërcënime tregojnë qëndrim frikësues ndaj personave që mund të njohin rrethanat e rastit dhe përbëjnë tregues se sjelljet e kundërligjshme mund të vazhdojnë nëse të pandehurit mbeten të lirë.
Nga bisedat mes Driton dhe Nurije Sylajt, sipas dosjes, Nurije Sylaj del të ketë ndikim të veçantë në vendimmarrjen brenda familjes. Prokuroria thotë se në ato komunikime nuk shfaqet as keqardhje, as distancim nga vrasja mizore e Arlinda Zekajt. Në kërkesë thuhet se shqetësimi i tyre për zbulimin e bashkëpunimit duhet shqyrtuar së bashku me provat e tjera të hetimit, për të sqaruar rolin, raportet dhe qëndrimet e tyre ndaj planifikimit e kryerjes së veprës nga Albert Sylaj.
Prokuroria i cilëson shqetësuese edhe kërcënimet ndaj dëshmitares A.S. dhe të miturës NN. Sipas vlerësimit të saj, mënyra e kryerjes dhe pesha e veprës, rrethanat para dhe gjatë ngjarjes, si dhe sjelljet pas saj, përfshirë komunikimet kërcënuese dhe shqetësimin për zbulimin e bashkëpunimit, përbëjnë së bashku rrethana konkrete që mbështesin rrezikun e përsëritjes së veprave penale.
Për këtë arsye, Prokuroria vlerëson se masat alternative nuk do të mjaftonin dhe kërkon paraburgimin, që procedura penale të zhvillohet rregullisht dhe pa pengesa.








