Ministria e Punëve të Brendshme njoftoi sot se gjatë aksionit kontrollues të zhvilluar mbrëmjen e kaluar deri në orët e para të mëngjesit në Shkup, gjashtë persona u privuan nga liria dhe u regjistruan 14 kundërvajtje në trafikun rrugor.
Aksioni u zhvillua nga ora 20:00 deri në orën 06:00 dhe u realizua nga efektivët e SPB Shkup, sipas një plani të miratuar paraprakisht për zbatimin e masave dhe aktiviteteve të përforcuara, me synim ruajtjen e gjendjes së qëndrueshme të sigurisë në qendër të qytetit.
Të lidhura
None found
Gjatë operacionit u verifikuan identitetet e 34 personave, u kontrolluan 25 individë dhe katër automjete. U evidentuan 14 shkelje sipas Ligjit për Sigurinë në Komunikacionin Rrugor, si dhe u kryen kontrolle në tetë lokale hoteliere dhe klube të lojërave të fatit me aparate elektronike. Dy shtetas të huaj u ndaluan, ndërsa një person tjetër u ndalua në bazë të nenit 15 të Ligjit për Letërnjoftim. Po ashtu, dy persona u privuan nga liria për vepër penale sipas nenit 215 të Kodit Penal, dhe një person tjetër sipas nenit 297-a të Kodit Penal. Gjatë aksionit, policia zhvilloi aktivitete parandaluese përmes pranisë fizike, patrullimeve të vazhdueshme dhe ndalimeve periodike në parkun e Kapishtecit në rrugën “Fronti Popullor” nr. 66, në bulevardin “Aradhet Partizane” pa numër, si dhe pranë këndit të lojërave “Qyteti e Drurit” në rrugën “Slavka Nediq”, për shkak të grumbullimit të përditshëm të të miturve në disa nga këto pika.
Në objektet hotelierike të kontrolluara nuk u gjetën parregullsi, përkatësisht nuk u hasën të mitur që konsumonin alkool.
Nga MPB-ja theksuan se aksionet e tilla kontrolluese do të vijojnë edhe në ditët në vijim.








