Ish-presidenti i Brazilit, Jair Bolsonaro, është dërguar në repartin e kujdesit intensiv të një spitali në Brasilia, pasi u diagnostikua me një bllokim të menjëhershëm të zorrëve.
Sipas ekipit mjekësor, 71-vjeçari është në gjendje klinikisht të qëndrueshme, plotësisht i vetëdijshëm dhe nuk ka nevojë për frymëmarrje mekanike.
Të lidhura
None found
Bolsonaro u shtrua në spitalin DF Star të premten, menjëherë pasi shfaqi simptoma të problemeve gastrointestinale. Në deklaratën zyrtare të spitalit bëhet e ditur se për shkak të bllokimit, mjekët i kanë vendosur një tub nazogastrik për të siguruar ushqimin dhe lëngjet, pasi ai nuk mund të ushqehet me rrugë orale në këtë fazë.
Spitali thekson se gjendja e tij mbetet e qëndrueshme, por ende nuk është përcaktuar se sa do të zgjasë qëndrimi i tij në institucionin shëndetësor.
Ish-presidenti, i cili e udhëhoqi Brazilin nga viti 2019 deri në vitin 2022, ndodhet aktualisht nën arrest shtëpiak pasi u shpall fajtor për përfshirje në një tentativë për grusht shteti, e cila synonte të pengonte kalimin e pushtetit pas zgjedhjeve presidenciale të vitit 2022.
Problemet e tij shëndetësore janë përsëritur shpesh gjatë viteve të fundit, kryesisht si pasojë e plagosjes me thikë që pësoi gjatë fushatës elektorale të vitit 2018, një ngjarje që kërkoi disa ndërhyrje kirurgjikale në zonën e barkut.







