Në Kuvendin e Kosovës janë paraparë sot dy seanca plenare, ku do të trajtohen çështje me peshë për vendin.
Seanca e parë plenare do të vazhdojë në orën 10:00 dhe në rend dite ka rishqyrtimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Të lidhura
None found
Ndërsa seanca tjetër plenare është planifikuar të nisë në orën 11:00 dhe përfshin 12 pika të rendit të ditës.
Në qendër të kësaj seance është shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2027.
Deputetët do të kenë në shqyrtim edhe vendimin e Qeverisë për masat emergjente në furnizimin me energji, i datës 16 nëntor 2026.
Gjithashtu, në agjendë janë shqyrtimi i parë i Projektligjit për Efiçiencë të Energjisë dhe i Projektligjit për Inspektoratin Qendror të Trashëgimisë Kulturore.
Parlamentarët pritet të zgjedhin 4 anëtarë të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës, të emërojnë anëtarë të Këshillit Kombëtar të Shkencës dhe të shqyrtojnë rekomandimin për shkarkimin e 4 anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës.
Në rend dite është përfshirë edhe propozimi i Grupit Parlamentar të LDK-së për zëvendësimin e një anëtari në Komisionin Parlamentar Hetimor lidhur me veprimet dhe mosveprimet institucionale në rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt dhe trajtimin e dhunës ndaj grave dhe fëmijëve në familje.






