Gjendja e kanalizimeve mund të shkaktojë përmbytje të lokalizuara në zonat urbane të qarqeve Shkodër, Kukës dhe Lezhë. Instituti i Gjeoshkencave njofton se në orët e ardhshme në veri të vendit priten reshje të dendura. Në Shkodër dhe Kukës, lumenjtë e vegjël malorë mund të dalin nga shtrati dhe të shkaktojnë rrëshqitje dherash.
Në qarqet Dibër, Lezhë, Durrës, Tiranë dhe Elbasan, reshjet do të jenë mesatare deri lokalisht intensive, të shoqëruara me shtrëngata. Korça do të ketë reshje të dobëta deri mesatare, ndërsa pjesa tjetër e vendit do të përjetojë reshje të dobëta. Era do të fryjë mesatare deri e fortë, veçanërisht në bregdet dhe në zonat malore, sipas IGJEUM.
Të lidhura
None found

Për shkak të përkeqësimit të motit, në Vlorë dhe Durrës janë pezulluar lundrimet për mjetet e vogla dhe ato të peshkimit. Kapitaneria e Portit të Vlorës ka ndaluar dhënien e lejeve të nisjes për këto mjete që planifikojnë të dalin në det të hapur jashtë Gjirit të Vlorës, nga ora 08:00 e datës 18 nëntor deri në orën 06:00 të datës 20 nëntor.
Për të parandaluar çdo rrezik, kapiteneritë e porteve kërkojnë zbatimin e masave në port dhe rritjen e gatishmërisë së ekuipazheve. Ndërkohë, anijet e transportit ndërkombëtar detar do të vijojnë operacionet normalisht sipas destinacioneve të tyre.








