Megjithëse u shpall i pafajshëm në Hagë, Isni Kilaj thotë se e sheh edhe veten si të dënuar. Ai ishte i vetmi që mori pafajësi mes pesë personave të akuzuar për pengim të drejtësisë.
“Realitetisht edhe unë jam i dënuar”, u shpreh Kilaj të martën mbrëma në emisionin “Debat Plus” në TV Dukagjini. Ai tha se ka kaluar 18 muaj në burg dhe se prej tri vjetësh është përfshirë në një proces që, sipas tij, është zgjatur tepër dhe ka qenë i mundimshëm. Kilaj shtoi se kufizime të rrepta i janë vendosur edhe gjatë qëndrimit në shtëpi.
Të lidhura
None found
Ish-kryetari i Malishevës e cilësoi procesin të padrejtë që në fillim dhe tha se ai nuk duhej të niste, duke përmendur edhe presion politik. Ai pretendoi se ndaj të akuzuarve ishte ushtruar presion i madh për të pranuar fajësinë, ndërsa dënimet e të tjerëve i cilësoi politike dhe pa bazë.
Pas shpalljes së aktgjykimit, Kilaj tha se e kishin takuar për pak minuta ish-presidentin Hashim Thaçi, nën praninë e gardianëve. Sipas tij, Thaçi kishte mbajtur një qëndrim dinjitoz.
Të martën, Dhomat e Specializuara e dënuan Thaçin me 17 muaj burgim. Bashkim Smakaj dhe Fadil Fazliu u dënuan me nga 12 muaj burgim, ndërsa Hajredin Kuçi me një muaj burgim me kusht.







