Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, njoftoi arrestimin e dy personave të dyshuar për grabitjen e armatosur në Gjakovë, ku një qytetar mbeti i plagosur.
Sipas tij, të dyshuarit u identifikuan mbrëmë dhe u vunë në pranga sot, pas hetimeve intensive dhe bashkëpunimit mes Policisë së Kosovës, Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI) dhe Prokurorisë.
Të lidhura
None found
Gjatë aksionit, autoritetet sekuestruan armët që dyshohet se janë përdorur në grabitje, së bashku me një shumë të konsiderueshme parash.
Sveçla e cilësoi operacionin si tregues të profesionalizmit dhe angazhimit të institucioneve të sigurisë. Ai deklaroi se çdo person që kryen vepra kriminale do të identifikohet dhe do të përballet me drejtësinë.
“Askush që kryen vepra kriminale nuk mund t’i shmanget drejtësisë”, shkroi ministri.
Ai theksoi gjithashtu se garantimi i jetës dhe pronës së qytetarëve, si dhe zbatimi i ligjit, mbeten parime të panegociueshme.
Ngjarja ndodhi më 16 nëntor, në një lokal në Gjakovë. Dy persona të maskuar, njëri i pajisur me armë zjarri dhe tjetri me çekan, morën stoli ari. Gjatë grabitjes, njëri prej tyre dyshohet se qëlloi në këmbë njërën nga viktimat.






