Finalizimi i Ernest Muçit në fitoren 2-0 të Shqipërisë kundër Finlandës, në Ligën e Kombeve, ka tërhequr vëmendjen e gazetarit turk Bilal Kures. Ai i ka kushtuar një shkrim të veçantë golit të sulmuesit shqiptar, të cilin e ka cilësuar “fizikant eksperimental” dhe jo futbollist.
Kures tregon se e mësoi nga rrjetet sociale që Muçi kishte shënuar sërish një natë më parë dhe vendosi ta shihte golin mëngjesin pasues. Sipas tij, goditja me pjesën e jashtme të këmbës së djathtë, nga një kënd 40 gradë, bëri që topi të kërcente fort drejt cepit.
Të lidhura
None found
Me humor, gazetari shkruan se Muçi dukej sikur kishte llogaritur shpejtësinë e rrotullimit të Tokës, forcën e erës dhe çdo të dhënë tjetër përpara se të shënonte.
Kures shton se, po ta kishin menduar ndryshe ata që, sipas tij, duhet të rrisnin pula në fshat, Muçi pothuajse do të ishte larguar nga Trabzonspor vitin e kaluar. Ai shprehet i kënaqur që sulmuesi po qëndron në skuadër, ndërsa e mbyll shkrimin me një tjetër thumbim: edhe bujqësia është profesion i mirë, të paktën për ata që merren me një punë të cilën e kuptojnë.






