Mes rrezikut të një përshkallëzimi të ri në Lindjen e Mesme, Shtetet e Bashkuara dhe Irani po mbajnë kontakte diplomatike larg vëmendjes publike.
Bisedimet po zhvillohen me ndërmjetësimin e vendeve të treta. Ndërkohë, gjendja në terren mbetet e brishtë dhe mundësia e një përplasjeje tjetër ushtarake nuk është përjashtuar.
Të lidhura
None found
Diskutimet përqendrohen te programi bërthamor iranian, sanksionet e vendosura nga SHBA-ja dhe kontrolli i Ngushticës së Hormuzit, një prej rrugëve detare më të rëndësishme në botë për transportin e naftës.
Katari dhe Pakistani po ndërmjetësojnë për të afruar qëndrimet e Uashingtonit dhe Teheranit, sipas CNN.
Synimi i këtyre përpjekjeve është të hapet rruga për rifillimin e negociatave dhe për një marrëveshje që do të pengonte zgjerimin e konfliktit.
Irani kërkon, ndër të tjera, heqjen e bllokadës detare amerikane, çlirimin e aseteve të ngrira dhe garanci se konflikti do të marrë fund.
Uashingtoni, në anën tjetër, kërkon kufizimin e programit bërthamor të Iranit dhe masa për të garantuar sigurinë rajonale.
Kontaktet diplomatike po vijojnë, megjithatë, në një atmosferë të tensionuar. SHBA-ja ka goditur sistemet iraniane të mbrojtjes ajrore në ishullin Qeshm, ndërsa presidenti Donald Trump ka paralajmëruar se janë përcaktuar edhe objektiva të tjerë të mundshëm brenda territorit iranian.
Teherani ka paralajmëruar se do t’i përgjigjet çdo sulmi tjetër amerikan. Ai thotë se është gati për çdo skenar, ndonëse mbetet i gatshëm të vazhdojë përpjekjet diplomatike.
Zhvillimet në rajon pritet të jenë gjithashtu pjesë e bisedës së presidentit amerikan Donald Trump me kryeministrin dhe ministrin e Jashtëm të Katarit, Sheikh Mohammed bin Abdulrahman Al Thani, gjatë takimit të tyre në Shtëpinë e Bardhë.
Megjithë komunikimin mes palëve, arritja e një marrëveshjeje nuk duket ende e afërt. Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka pranuar se bisedimet nuk kanë sjellë përparim të konsiderueshëm. Mbetet kështu e paqartë nëse rruga diplomatike do të mund të parandalojë një tjetër përshkallëzim në Lindjen e Mesme.








