Kreditë e reja shtrenjtohen në Maqedoninë e Veriut

Marrja e kredive të reja në Maqedoninë e Veriut po kushton më shumë, pasi normat e interesit janë rritur si për bizneset, ashtu edhe për qytetarët.

Rritja më e dukshme është regjistruar te huatë për kompanitë, ku interesi mesatar në muajin shtator kaloi nivelin 5 për qind. Ndërkohë, depozitat e reja janë ofruar me norma më të ulëta interesi.

Të lidhura

None found

Të dhënat e Bankës Popullore tregojnë se norma mesatare për kreditë e reja u ngjit në 4,94 për qind në shtator, ose 0,24 pikë përqindjeje më shumë se në gusht. Për kompanitë, norma arriti në 5,05 për qind, ndërsa për familjet u fiksua në 4,77 për qind.

Te familjet, norma mesatare e interesit për kreditë e reja ishte 4,77 për qind, nga 4,73 për qind që ishte një muaj më parë. Megjithëse rritja është më e kufizuar, shifrat dëshmojnë se edhe qytetarët po përballen me një kosto më të lartë të huamarrjes.

Për kreditë që janë miratuar më herët, ndryshimet kanë qenë minimale. Norma mesatare për të gjitha kreditë qëndroi në 4,68 për qind, ndërsa diferenca mes interesit të paguar për huatë dhe të ardhurave nga kursimet mbetet e konsiderueshme.

Në shtator, norma mesatare e interesit për depozitat e reja zbriti në 2,70 për qind, duke shënuar një ulje prej 0,02 pikë përqindjeje në raport me gushtin. Depozitat e familjeve u regjistruan me normë 2,69 për qind, ndërsa ato të kompanive me 2,73 për qind.

Diferenca mes interesit mesatar të kredive të reja dhe atij të depozitave të reja është 2,24 pikë përqindjeje. Kjo nënkupton se qytetarët dhe bizneset paguajnë shumë më tepër për kreditë sesa përfitojnë nga paratë e depozituara në banka. Vetëm gjatë shtatorit, kreditë e qytetarëve arritën në rreth 4,93 miliardë euro, ndërsa depozitat ishin mbi dy miliardë euro më të larta.