Ilir Kulla: Rama ka humbur ndikimin te shqiptarët në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, faktorët janë kundër tij

Analisti Ilir Kulla, në një intervistë për emisionin “Zonë e Lirë” në News24, foli për zhvillimet politike në Ballkanin Perëndimor dhe pozitën e kryeministrit Edi Rama në rajon.

Sipas Kullës, Rama nuk ka më ndikimin që kishte te shqiptarët në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, gjë që ka ulur peshën e tij në politikën rajonale.

Të lidhura

None found

Ai e krahasoi situatën e Ramës me atë të Aleksandër Vuçiçit, duke thënë se, ashtu si ky i fundit ka bashkuar kundër vetes disa faktorë, edhe kryeministri shqiptar ka përballë shumë aktorë politikë.

Kulla kujtoi se, në fillimet e angazhimit të Ramës në rajon, ai u paraqit si një faktor që mund të kontribuonte për stabilitetin në Ballkan. Për ta përmbushur këtë rol, sipas analistit, Rama duhej të kishte ndikim te politikanët shqiptarë në vendet fqinje.

Mes zhvillimeve që, sipas tij, ia kanë dobësuar pozitat, Kulla renditi kundërshtimin e Kosovës ndaj ndryshimit të kufijve, dështimin e nismës “Ballkani i Hapur” dhe largimin e Dritan Abazoviçit nga pushteti në Mal të Zi. Ai tha se këto zhvillime e kanë lënë Ramën pa një pjesë të mjeteve politike që dikur i jepnin ndikim në rajon.

“Vuçiç i bashkoi të gjithë kundër vetes, sikurse Rama në Shqipëri ka bërë që faktorët të bashkohen kundër tij. Mendoj se Rama doli nga loja kur humbi ndikimin te shqiptarët e Maqedonisë së Veriut dhe të Kosovës. Në Maqedoni, me ardhjen në pushtet të forcave që sot qeverisin me Mickoswkin, pra VLEN-it, dhe në Kosovë me pushtetin e Albin Kurtit, këta nuk ia njohin lidershipin dhe Rama nuk ka çfarë t’u ofrojë në këmbim.

Në fillim, Rama shihej si njeriu që do të sillte stabilitet, por për ta bërë këtë duhej të kishte ndikim te këta aktorë. Kosova ishte kundër ndryshimit të kufijve, ndërsa “Ballkani i Hapur” dështoi. Kartat që Rama kishte për të luajtur në tavolinë nuk i ka më, jo sepse iku Vuçiçi, por sepse shqiptarët e rajonit nuk e pranuan. U largua edhe Dritan Abazoviçi nga pushteti në Mal të Zi dhe sot Rama nuk ka çfarë të ofrojë.

I vetmi argument që mund të paraqesë është stabiliteti, por këtë e ka të vështirë për shkak të protestave të brendshme. Në raport me Perëndimin, Rama nuk ka më çfarë të ofrojë për Ballkanin. Nuk ka në dorë as çështjen e Kosovës, as atë të Maqedonisë së Veriut dhe përballet me probleme të brendshme. Vetëvendosje dhe VLEN-i nuk janë nën ndikimin e Ramës”, u shpreh Kulla.


Shtuar më 30.10.2026 22:12