Gazetari Artan Hoxha komentoi në studion e News24 zhvendosjen e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, nga burgu i Durrësit në institucionin e vuajtjes së dënimit në Fier. Ai ngriti dyshime për mënyrën e transferimit dhe për ndikimet që, sipas tij, ekzistojnë në zonën ku ndodhet burgu.
Sipas Hoxhës, lëvizja është bërë me urgjencë dhe pa një dokument zyrtar. Gazetari tha se këtë informacion e kishte marrë pas komunikimeve me autoritetet e burgjeve.
Të lidhura
None found
Ai vuri në dukje se në të njëjtin institucion ndodhen ose janë dërguar edhe persona të tjerë, mes tyre Ergys Agasi. Për Hoxhën, prania e tyre në burgun e Fierit merr një kuptim të veçantë për shkak të kontrollit politik dhe institucional që, sipas pretendimit të tij, ushtrohet në atë qark.
Në këtë kuadër, ai përmendi edhe zëvendëskryeministren Belinda Balluku, duke deklaruar se ajo ka ndikim të rëndësishëm në qarkun e Fierit.
Hoxha e cilësoi transferimin jo thjesht si një procedurë administrative, por si një sinjal politik ndaj Erion Veliajt dhe figurave të tjera të Partisë Socialiste.
“Këto lloj qeverish dhe këta lloj autokratësh rrëzohen nga zullumi që kanë shkaktuar. Ata kanë uzurpuar shumë pushtet dhe e kanë grabitur vendin, ndaj në fund i rrëzon drejtësia. Abuzimi me pushtetin ka krijuar pakënaqësi te njerëzit. Duke qenë se Shqipëria është një vend europian dhe anëtare e NATO-s, kjo pakënaqësi nuk mund të kthehet në një revoltë të armatosur për të rrëzuar pushtetin. Por pakënaqësia popullore rritet dhe më pas mund të marrë përpara edhe atë që duket si njeriu më i fortë dhe më i paprekshëm”, u shpreh ai.
Gazetari kujtoi ardhjen e Edi Ramës në pushtet, kur kryeministri, sipas tij, doli në bulevard me kabinetin pa truproja dhe pa masa të tjera të dukshme sigurie. “Sot nuk ka më makina të blinduara që t’i mundësojnë ministrat e Ramës të lëvizin të qetë në qytet. Le të provojë Edi Rama të dalë nesër në bulevard me duart në xhepa, siç bënte dikur. Tani ai pret të zbardhë dita, realizon videot dhe më pas zhduket nga qarkullimi”, tha Hoxha.
Ai shtoi se deputetët nuk gjejnë më hapësirë për t’iu shmangur qytetarëve, ndërsa ministrat, edhe gjatë udhëtimeve jashtë vendit ose në avion, nuk ndihen të qetë. Hoxha tregoi se dikush i kishte kërkuar një orar dhe një vend ku do të mblidheshin zyrtarët, me qëllim që qytetarët të shkonin atje. Sipas tij, kjo situatë është pasojë e keqqeverisjes së vendit.
“Njeriu që dikur dilte krenar në qendër të qytetit, me duart në xhepa, dhe sfidonte kundërshtarët politikë, sot nuk gjen ku të fshihet. Vetëm ditën kur kthehej nga Vlora, eskortën e tij e përbënin të paktën 11 makina. Sa më shumë shton automjetet e blinduara, aq më shumë i ngushtohet laku”, deklaroi ai.
Duke folur për atë që ndodhi me Erion Veliajn një ditë më parë, Hoxha tha se, pavarësisht përplasjeve të tij të mëparshme me kryebashkiakun, veprimi i Edi Ramës nuk ishte një mesazh vetëm për të.
“Ajo ishte një kërcënim tipik mafioz. Mafia dhe krimi i organizuar dinë ku të godasin për të përcjellë mesazhin: ‘Mblidh mendjen para se të të vrasin’. Të prekin te familja, te nëna, gruaja ose fëmijët. Unë i pashë dje të gjitha këto elemente dhe kamerat u lejuan të filmonin pikërisht atë skenë. Nëse Edi Rama nuk do të kishte gisht në atë që ndodhi, si u lejuan kamerat të ishin aty?”, tha gazetari.
Hoxha deklaroi se pamja e nënës së Veliajt, bashkëshortes dhe foshnjës së tij, sipas tij, përcillte një mesazh kërcënues. Ai theksoi se Erion Veliaj mund të ketë shumë çështje për të sqaruar, por një kërcënim i tillë, në vlerësimin e tij, bëhet vetëm nga mafia. Sipas gazetarit, mesazhi nuk i drejtohej vetëm Veliajt, por të gjithë “Erionëve” të tjerë në Partinë Socialiste që kanë menduar se Edi Ramës po i dobësohet pozita.
“Edi Rama u tha dje njerëzve të tij, edhe atyre që kërkuan llogari, përfshirë Toni Gogun, se do t’ua bëjë si Erion Veliajt. Nëse ia bën këtë kryebashkiakut të kryeqytetit, me të cilin ka ndarë më shumë se 20 vite pushtet, atëherë nuk pyet për askënd tjetër. Mesazhi ishte i qartë për socialistët: nëse dilni nga rreshti, do t’ju ndodhë si Erion Veliajt dhe nënat, gratë e fëmijët tuaj do të vijnë t’ju vizitojnë në burg”, u shpreh ai.
Gazetari ngriti sërish pyetjen se si kamerat ndodheshin në vend në atë moment dhe kush e dinte paraprakisht se çfarë do të ndodhte. Të njëjtën pikëpyetje, sipas tij, e ngre edhe arrestimi i Ilir Metës, ku kamerat ishin gjithashtu të pranishme në kohën e ngjarjes.
Hoxha e cilësoi situatën shumë të rëndë dhe tha se heshtja e socialistëve pas asaj që i ndodhi Veliajt tregon se mesazhi ishte më i gjerë. Sipas tij, në prag të zgjedhjeve, kryebashkiaku i Tiranës është kthyer në një pengesë të madhe për kryeministrin, ndërsa nga burgu po përpiqet të ruajë kontrollin mbi bashkinë. Ai pretendoi se Veliaj po i hap një problem të madh Ramës, i cili ndërkohë ka bërë edhe dy shkarkime të tjera, duke larguar njerëzit e tij. Hoxha shtoi se Veliaj nuk do t’ia falë këtë kryeministrit.
Megjithatë, gazetari nënvizoi se pozita e Veliajt ndryshon nga ajo e Arben Ahmetajt, i cili ndodhet jashtë vendit dhe mund të bëjë denoncime. “Erion Veliaj është në burg dhe sot e ka kuptuar se nga i ka ardhur kjo situatë dhe kush ia ka krijuar”, tha ai.
Hoxha u ndal edhe te transferimi në Fier, i cili ndodhi po atë ditë. Ai tha se kishte komunikuar me autoritetet e burgjeve dhe se, sipas informacionit të marrë prej tyre, nuk ekzistonte një shkresë zyrtare. Sipas tij, persona të caktuar kishin shkuar në burgun e Durrësit dhe kishin kërkuar që Veliaj të merrej menjëherë, në mënyrë urgjente. Më pas ai u dërgua në Fier, ku u grumbulluan edhe persona të tjerë.
“Ne e dimë kush e kontrollon atë qark dhe kush mban përgjegjësi për institucionet atje. Çfarë po bën kryeministri? Erion Veliajn nuk e ka çuar SPAK-u në Fier, por Drejtoria e Burgjeve, e cila është në varësi të Ministrisë së Drejtësisë”, deklaroi gazetari.
“Do të donim që Erion Veliaj të bëhej aktiv, por në vendin ku e kanë çuar mund të negociojë vetëm për supën e burgut. Unë kam thënë se është marrë peng. Me atë që i bëri dje Edi Rama, Veliaj është shndërruar në një shembull për të gjithë të tjerët: guxoni të dilni nga rreshti dhe do të përfundoni si Erion Veliaj, bashkë me familjen tuaj”, përfundoi Artan Hoxha.



