Kryenegociatori i Kosovës për Bashkimin Evropian, Jeton Zulfaj, zhvilloi një takim me të Dërguarin e Posaçëm të Hungarisë për Ballkanin Perëndimor, András Klein, i cili shoqërohej nga Ambasadori hungarez në Kosovë, László István Dux.
Biseda pasoi takimet e mbajtura në Budapest në fillim të këtij muaji. Gjatë takimit në Prishtinë, Zulfaj falënderoi Klein për pritjen në Budapest dhe për vizitën e tij në Kosovë.
Të lidhura
None found
Temat kryesore të diskutimit ishin perspektiva e anëtarësimit të Kosovës në Bashkimin Evropian, zhvillimet në rajon dhe bashkëpunimi mes dy vendeve. Zulfaj nënvizoi se sigurimi i statusit kandidat dhe nisja e negociatave për anëtarësim në BE vazhdojnë të jenë objektiva prioritare për Kosovën.
Palët vlerësuan edhe kontributin e Hungarisë në sigurinë e Kosovës përmes angazhimit të saj të vazhdueshëm në misionin e NATO-s. Po ashtu, u konsiderua e rëndësishme rritja e bashkëpunimit institucional dhe zgjerimi i lidhjeve ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Hungarisë.
Zulfaj e cilësoi të vlefshëm shkëmbimin e qëndrimeve me Klein dhe vuri në dukje rëndësinë e Hungarisë si shtet i Evropës Qendrore, me përvojë në procesin e integrimit në BE dhe pjesë e grupit “Miqtë e Ballkanit Perëndimor”. Ai shprehu gatishmërinë për vijimin e dialogut dhe thellimin e bashkëpunimit.







