Alimehmeti: Studentët nuk i besojnë më Ramës, ai do të bëjë të kundërtën e asaj që deklaron për dorëheqjen

I ftuar në News24, anëtari i Këshillit Kombëtar Ilir Alimehmeti foli për protestën studentore që prej disa ditësh po zhvillohet në Tiranë. Ai e cilësoi atë ndër lëvizjet më të mëdha dhe më frymëzuese të viteve të fundit, duke thënë se ajo shpreh qartë dëshirën e qytetarëve për ndryshim. Sipas tij, studentët kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, një qeveri teknike dhe zgjedhje të lira e të ndershme.

Alimehmeti vlerësoi se reagimi i të rinjve ishte i papritur si për publikun, ashtu edhe për politikën. Ai tha se studentët kanë dëshmuar se nuk janë një brez pasiv, ndryshe nga mënyra si mund të jenë perceptuar më herët.

Të lidhura

None found

Duke komentuar reagimet e kryeministrit, ai rikujtoi se Rama i ka përshkruar protestuesit me etiketime të ndryshme, ndërsa tani ofron dialog dhe komunikim përmes një platforme dixhitale.

“Me sa duket, paska ende njerëz që dëgjojnë Edi Ramën. Personalisht, nuk e dëgjoj më prej kohësh”, tha Alimehmeti në News24. Sipas tij, Rama i ka dëgjuar kërkesat e qytetarëve, por nuk u ka dhënë rëndësinë e duhur.

Alimehmeti argumentoi se protestuesit kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit dhe jo më dialog, sepse nuk kanë besim tek ai. Ai shtoi se propozimet e fundit të Ramës kanë si synim të ulin presionin ndaj qeverisë dhe të shmangin përgjegjësinë për problemet e krijuara me kalimin e kohës.

Gjatë intervistës, ai iu kthye edhe protestës studentore të vitit 2018, duke përmendur premtimet për përmirësimin e kushteve në universitete dhe ndërtimin e kampusit.

“Ju kujtohet kampusi universitar i famshëm? Ku është kampusi universitar? U bënë tetë vjet. Nuk është ndërtuar asnjë guralec”, u shpreh ai. Sipas Alimehmetit, shumë breza studentësh i kanë përfunduar studimet pa parë të realizohen premtimet e bëra.

Ai tha se qeveria nuk ka përmbushur as detyrimet e marra në kuadër të Paktit të Universitetit. “Janë gënjeshtra edhe të gjitha premtimet për Paktin e Universitetit. Nuk i ka realizuar”, deklaroi Alimehmeti, duke e akuzuar Ramën se vepron ndryshe nga sa premton.

Si shembuj të premtimeve që, sipas tij, nuk janë mbajtur, ai përmendi ujin, çmimet, taksat dhe akcizën e naftës. “Do t’u sjellë ujë, nuk ka ujë. Do t’i ulë çmimet, nuk i uli. Tha se do të ulte taksat, i rrit. Do të ulte akcizën për naftën, nuk e uli për 13 vjet”, tha ai.

Teksa komentoi deklaratën e kryeministrit se nuk do të largohet nga detyra, Alimehmeti u shpreh me ironi: “Thotë që nuk do të japë dorëheqjen. Kuptojeni vetë kush është e kundërta. Do ta japë dorëheqjen”.

Alimehmeti krahasoi gjithashtu situatën politike në Shqipëri me zhvillimet në Serbi, ku ka pasur protesta kundër presidentit Aleksandar Vuçiç. Ai iu referua edhe deklaratave të Vuçiçit për kryeministrin shqiptar, duke thënë se presidenti serb e ka këshilluar Ramën se si të veprojë me protestuesit.

“Ky që na thoshte neve ‘jeni agjentë të huaj’, këshillohet me Vuçiçin”, tha Alimehmeti, duke kritikuar sjelljen e kryeministrit ndaj protestuesve.

Sipas tij, protestat e vazhdueshme mund të mos sjellin menjëherë ndryshim, por krijojnë trysni ndaj pushtetit dhe mund të dobësojnë mbështetjen politike për drejtuesit.

Alimehmeti pretendoi se Rama dhe Vuçiçi kanë të përbashkëta në mënyrën se si ushtrojnë pushtetin. Megjithatë, ai bëri dallimin se kryeministri shqiptar, sipas tij, është i gatshëm të sakrifikojë interesat e vendit për të mbajtur pushtetin.

“Rama është i gatshëm të shesë çdo gjë të këtij vendi vetëm për veten e vet, që të ketë interesat e veta dhe të ecë përpara”, deklaroi ai.

Në mbyllje, Alimehmeti parashikoi se presioni ndaj Ramës do të rritet dhe se vijimi i protestave mund të ndikojë në të ardhmen e pushtetit të tij.


Shtuar më 28.10.2026 18:34