Kryeministri Edi Rama foli në Luksemburg për dy çështje që kanë shkaktuar debate në Shqipëri: projektin e investimit të Jared Kushner dhe arrestimin e kreut të SHISH, Vlora Hyseni. Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp, pas Konferencës së 10-të Ndërqeveritare Shqipëri–Bashkimi Europian, ai u shpreh se askush nuk qëndron mbi ligjin dhe se drejtësia po vepron.
Sa i takon projektit të Kushnerit, Rama ftoi të interesuarit ta vizitojnë Shqipërinë për të krijuar një ide të drejtpërdrejtë mbi përmasat dhe synimet e tij, duke theksuar se përmes vëzhgimit nga distanca mund të krijohen keqkuptime, veçanërisht nga informacionet e përcjella në mediat online.
Të lidhura
None found
Kryeministri deklaroi se bëhet fjalë për një nismë që shkon përtej emrit të investitorit dhe se qeveria synon ta kthejë atë në një model të mënyrës së investimit dhe zhvillimit në kohët moderne, në përputhje me natyrën.
Rama shtoi se reagimet publike dhe protestat e pasqyruara në mbarë botën kanë ndikuar në përmirësimin e projektit dhe në orientimin e tij drejt rezultateve që, sipas tij, mund të bindin më shumë njerëz se në fillim. Ai theksoi se vlerësimi përfundimtar duhet të mbështetet te faktet dhe se pritet të bëhet publike puna që po kryhet.
Duke iu përgjigjur pyetjes për arrestimin e kreut të SHISH, Vlora Hyseni, Rama tha se vendi po përjeton një fazë ku drejtësia po përmbush detyrën e saj. Sipas tij, ky zhvillim dëshmon se institucionet kanë nisur të funksionojnë.
Kryeministri kujtoi se Shqipëria dikur identifikohej si “atdheu i kulturës së pandëshkueshmërisë”, ndërsa sot, sipas tij, renditet ndër vendet pararojë, pasi kjo kulturë ka marrë fund dhe askush nuk është mbi ligjin. Ai deklaroi se vendi ka kaluar nga një sistem të kontrolluar nga korrupsioni në një shtet që po lufton korrupsionin.





