Maqedonci dhe homologu polak bisedojnë për zgjerimin e bashkëpunimit në mbrojtje

Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, u takua me zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Mbrojtjes së Polonisë, Władysław Kosiniak-Kamysz. Ata biseduan për zhvillimet e fundit të sigurisë në botë dhe në Evropë, si edhe për mundësitë e forcimit të bashkëpunimit dypalësh në mbrojtje.

Të lidhura

None found

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes së Kosovës, Maqedonci e informoi homologun polak për gjendjen e sigurisë në Kosovë dhe për përparimin në zhvillimin e avancimin e kapaciteteve mbrojtëse të vendit.

Në takim iu kushtua rëndësi e veçantë bashkëpunimit në industrinë e mbrojtjes. Palët trajtuan sidomos mundësitë e bashkëprodhimit, të cilat u vlerësuan si fushë me potencial për zgjerimin e partneritetit mes dy vendeve.

Maqedonci falënderoi Poloninë për mbështetjen e vazhdueshme ndaj sigurisë së Kosovës gjatë 27 viteve të fundit, si dhe për kontributin e ushtarakëve polakë në misionin e KFOR-it.

Në njoftim thuhet se Kosova dhe Polonia vijojnë bashkëpunimin për çështje me interes të përbashkët në siguri dhe mbrojtje, me synimin për ta çuar më tej partneritetin e tyre.


Shtuar më 13.10.2026 15:57