Gjatë Forumit të Sigurisë në Varshavë, ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, zhvilloi një takim me homologun e tij estonez, Margus Tsahkna. Diskutimet u përqendruan te perspektiva evropiane e Kosovës dhe situata e sigurisë në Ballkanin Perëndimor.
Të lidhura
None found
Konjufca bëri të ditur se me ministrin e Estonisë ishte takuar për herë të parë në vitin 2024. Ai tha se komunikimi me Tsahknan është karakterizuar gjithmonë nga hapja dhe drejtpërdrejtësia.
Sipas tij, Estonia përfaqëson një shembull të rëndësishëm të mënyrës se si përvoja historike mund të shndërrohet në vetëdije për lirinë dhe në kapacitet për ta mbrojtur atë. Në këtë kuadër, ai vlerësoi veçanërisht përparimin e Estonisë në qeverisjen digjitale dhe sigurinë kibernetike.
Një pjesë qendrore e bisedës ishte rruga e Kosovës drejt Bashkimit Evropian, e cila, sipas Konjufcës, është e lidhur drejtpërdrejt me sigurinë e rajonit.
Ministri kosovar foli për kërcënimet që, sipas tij, vijnë nga Serbia, për veprimet hibride dhe për ndikimin keqdashës të Rusisë. Ai theksoi se ruajtja e paqes nuk mund të konsiderohet e garantuar, por kërkon angazhim të vazhdueshëm.
“Në qendër të bisedës sonë ishte perspektiva evropiane e Republikës së Kosovës, e lidhur ngushtë me sigurinë e Ballkanit Perëndimor. Kërcënimet që burojnë nga Serbia, veprimet hibride dhe ndikimi keqdashës rus na kujtojnë se paqja nuk është një gjendje që mund të merret si e mirëqenë, por një përgjegjësi që kërkon angazhim të vazhdueshëm. Integrimi evropian i Kosovës është pjesë e forcimit të kësaj paqeje dhe të sigurisë së vetë Evropës”, ka shkruar Konjufca.
Konjufca shprehu mirënjohje për ministrin Tsahkna dhe për Estoninë, duke vlerësuar miqësinë dhe mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës. Ai gjithashtu theksoi vullnetin e përbashkët për zgjerimin e bashkëpunimit mes dy vendeve.






