Studimi zbulon se gratë me sëmundje autoimune shpesh përballen me diagnoza të gabuara psikologjike

Një hulumtim i Universitetit të Kembrixhit ka evidentuar një pabarazi të dukshme gjinore në diagnostikimin e sëmundjeve autoimune, ndërsa gratë rezultojnë se presin më gjatë edhe për të marrë trajtim.

Të lidhura

None found

Sipas të dhënave, gratë me sëmundje autoimune kanë deri në 74% më shumë gjasa se burrat t’u dëgjojnë mjekëve se simptomat e tyre janë psikologjike ose psikosomatike. Ato gjithashtu përballen me vonesa më të gjata në diagnostikim dhe trajtim.

Sëmundjet autoimune prekin qindra miliona persona, ose rreth një në 10 njerëz në mbarë botën. Ato shfaqen kur sistemi imunitar sulmon gabimisht organizmin dhe mund të shkaktojnë lodhje, dhimbje muskujsh, skuqje të lëkurës dhe probleme të tjera shëndetësore. Lajmi raportohet nga The Guardian dhe transmetohet nga Klankosova.tv.

Studimi i zhvilluar nga Universiteti i Kembrixhit në bashkëpunim me Universitetin e East Anglia-s nxjerr në pah dallimet gjinore në mënyrën se si profesionistët e shëndetësisë i interpretojnë shenjat e këtyre sëmundjeve.

Gratë, sipas kërkimit, kanë më shumë mundësi që problemet e tyre shëndetësore t’u atribuohen gabimisht faktorëve psikiatrikë, ndërsa simptomat t’u cilësohen si psikosomatike dhe diagnoza t’u vonohet.

Rezultatet tregojnë se 43% e grave thanë se u ishte komunikuar që gjendja e tyre kishte shkaqe psikiatrike. Për burrat, kjo shifër ishte 33%, pra një e treta e tyre.

Po ashtu, 34% e grave deklaruan se simptomat u ishin diagnostikuar gabimisht si psikosomatike, që nënkupton se ato mendohej se shkaktoheshin ose rëndoheshin nga stresi dhe ankthi. Te burrat, përqindja ishte 22%.

Melanie Sloan, autorja kryesore e studimit, paralajmëroi se pasoja e këtyre diagnozave të pasakta mund të zgjasë për një kohë të gjatë, veçanërisht duke dëmtuar besimin e grave te mjekët dhe vlerësimin që ato kanë për veten.

Diagnoza e sëmundjeve autoimune shpesh është e ndërlikuar, pasi simptomat e tyre mund të jenë të ngjashme me ato që shfaqen gjerësisht në popullatë.


Shtuar më 13.10.2026 14:05