Kallëzimi i një qytetari ka vënë në lëvizje Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore (AMP), e cila ka arrestuar në flagrancë dy efektivë të Policisë së Shtetit në Tiranë.
Sipas njoftimit zyrtar të agjencisë, hetimet ngrenë dyshime se ata i kërkuan dhe i morën qytetarit 20 mijë lekë për të mos e ndëshkuar për një shkelje rrugore.
Të lidhura
None found
Në pranga kanë përfunduar A. S., 20-vjeç, dhe Xh. F., 23-vjeç. Të dy mbajnë gradën inspektor dhe kryenin detyrën në shërbimet e Patrullës së Përgjithshme të Komisariatit të Policisë Nr. 4 në kryeqytet.
Veprimet hetimore që çuan në arrestimin e tyre janë zhvilluar nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.
Ndaj dy punonjësve rëndojnë dyshimet për kryerjen në bashkëpunim të veprave penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Shpërdorimi i detyrës”, të parashikuara në nenet 259, 248 dhe 25 të Kodit Penal.
Për të dokumentuar tërësisht rastin dhe për të përcaktuar nëse ka persona të tjerë të përfshirë, AMP njofton se puna hetimore po vazhdon.
Agjencia rikonfirmon angazhimin për të luftuar korrupsionin dhe shkeljet ligjore nga punonjësit e strukturave policore, duke theksuar se do të ndërhyjë në çdo rast që dëmton integritetin e uniformës dhe besimin e qytetarëve te Policia e Shtetit.






