Endrit Nika vijon të mohojë përgjegjësinë për vdekjen e partneres së tij, Maria Clara Urdangaray, edhe në procesin e rigjykimit.
Të lidhura
None found
Gjatë seancës në Gjykatën Themelore të Prishtinës, ai tha se e kishte kuptuar aktakuzën dhe deklaroi se nuk ndihet fajtor.
Mbrojtja kërkoi në nisje të rigjykimit caktimin e një përkthyesi që zotëron dialektin zviceran të gjermanishtes. Sipas saj, përkthyesi aktual nuk i kupton në mënyrë të plotë veçoritë gjuhësore të të akuzuarit.
Gjykatësi Gazmend Bahtiri sqaroi se, bazuar në njoftimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, licencimi i përkthyesve bëhet për gjermanishten standarde dhe jo për dialektin gjerman që përdoret në Zvicër.
Pas kërkesës së të akuzuarit dhe avokatit të tij, Tomë Gashi, gjykata vendosi të kërkojë një përkthyes të aftë në këtë dialekt. Seanca u ndërpre dhe vijimi i saj u caktua më 25 shtator, në orën 09:30.
Prokurori Armend Hamiti tha se synimi i Prokurorisë është të vërtetojë përtej dyshimit të bazuar se Nika ka kryer veprën për të cilën po gjykohet. Në proces u bashkua me ndjekjen penale edhe përfaqësuesi i palës së dëmtuar, Betim Shala.
Më herët, Nika ishte shpallur fajtor dhe ishte dënuar me 18 vjet burgim për vdekjen e Maria Clara Urdangaray. Më 1 gusht 2023, ajo kishte rënë nga dritarja e katit të gjashtë të një hoteli në Fushë Kosovë.
Pas ankesës së mbrojtjes, Gjykata e Apelit e ktheu çështjen në rigjykim, duke e dërguar sërish për shqyrtim në shkallën e parë.





