Kurti: Integrimi në Këshillin e Evropës dhe Interpol do të sillte përfitime për qytetarët e Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi se forcimi i përfshirjes ndërkombëtare të vendit është me rëndësi të drejtpërdrejtë për qytetarët, veçanërisht përmes anëtarësimit në Këshillin e Evropës dhe në Interpol.

Të lidhura

None found

Kurti i bëri këto komente në ceremoninë e hapjes së edicionit të 12-të të Shkollës Diplomatike për diplomatë të rinj, aktivitet i organizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, përmes Akademisë Diplomatike të Kosovës.

Sipas tij, diplomacia, bashkëpunimi me partnerët ndërkombëtarë dhe dialogu e kanë ndihmuar Kosovën të kapërcejë vështirësitë e para të shtetndërtimit dhe të shndërrohet në një aktore aktive në zhvillimet rajonale e ndërkombëtare.

Ai theksoi se Kosova përbën një shembull të veçantë për shkëmbimin e përvojave, pasi çështje si paqja, siguria, sovraniteti, zhvillimi, të drejtat e njeriut, sundimi i ligjit, e drejta ndërkombëtare dhe roli i shteteve të vogla janë pjesë e përvojës së saj si shtet.

Kurti tha se procesi i integrimit në Bashkimin Evropian po vijon dhe se qytetarët e Kosovës tashmë prej dy vjetësh udhëtojnë pa viza në vendet e zonës Shengen.

Megjithatë, ai nënvizoi se nuk duhet të lihet pas dore rëndësia e një integrimi edhe më të madh ndërkombëtar. Sipas tij, anëtarësimi në Këshillin e Evropës do t’u jepte të gjithë qytetarëve të Kosovës mundësinë për t’iu drejtuar Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe për të përfituar nga sistemi evropian i mbrojtjes së të drejtave të njeriut.

Ndërsa anëtarësimi në Interpol, vijoi kryeministri, do t’u mundësonte institucioneve të zbatimit të ligjit në Kosovë shkëmbimin e informacionit dhe bashkëpunimin në kohë reale me forcat policore në mbarë botën.

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti, tha se historia diplomatike e Kosovës tregon transformimin e vendit, nga një popull nën administrim ndërkombëtar në një shtet që përfaqësohet në vende të ndryshme përmes misioneve diplomatike dhe konsullore.

Ahmeti u shpreh se Kosova ka një raport të veçantë me diplomacinë dhe komunitetin ndërkombëtar. Ai kujtoi se, jo shumë kohë më parë, populli i Kosovës jetonte nën administrimin e Kombeve të Bashkuara, ndërsa përmes Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë dhe organizatave e misioneve të tjera ndërkombëtare, një pjesë e madhe e botës ishte e pranishme në vend.

Sot, në vitin e 15-të pas shpalljes së pavarësisë, tha Ahmeti, Kosova është e pranishme në mbarë botën përmes më shumë se 50 misioneve diplomatike dhe konsullore në mbi 30 vende. Ai e cilësoi këtë ndryshim si një nga mënyrat më të mira për të kuptuar rrugëtimin e shtetit.

Drejtoresha e Akademisë Diplomatike, Mirjeta Behluli, deklaroi se Shkolla Diplomatike është kthyer në një traditë të rëndësishme për formimin profesional të diplomatëve të rinj, shkëmbimin e përvojave dhe ndërtimin e marrëdhënieve të reja profesionale.

Behluli tha se programi i trajnimit diplomatik përbën një platformë të vlefshme për zhvillimin e diplomatëve të rinj, ndërsa Akademia Diplomatike ka misionin dhe përgjegjësinë institucionale për të mbështetur përgatitjen dhe avancimin profesional të zyrtarëve të shërbimit të jashtëm.

Ajo shtoi se institucionit i kushton rëndësi të veçantë rritjes së kapaciteteve, përmirësimit të aftësive diplomatike dhe forcimit të bashkëpunimit ndërkombëtar. Deri tani, Akademia ka nënshkruar më shumë se 45 memorandume mirëkuptimi me akademi diplomatike dhe institucione partnere në mbarë botën.

Sipas Behlulit, ky rrjet bashkëpunimi dëshmon përkushtimin ndaj diplomacisë si një mjet themelor për dialogun, mirëkuptimin e ndërsjellë dhe bashkëpunimin ndërkombëtar.

Tema e edicionit të 12-të të Shkollës Diplomatike është “Shtetet e vogla, diplomacia e zgjuar, siguria dhe bashkëpunimi ndërkombëtar në kohë të pasigurisë globale”.


Shtuar më 12.10.2026 11:13